Drejtoresha Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Mimoza Kaçi, gjatë raportimit në mbledhjen e përbashkët të Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale me Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, bëri të ditur se nga 1 janari 2026 nis zbatimi i sistemit bonus-malus në sigurimet e automjeteve.
Kaçi bëri të ditur se sipas të dhënave të deritanishme, incidenca e dëmeve në rang vendi është 3,8%, që do të thotë se rreth 3,8% e drejtuesve të mjeteve do të penalizohen për shkak të shkaktimit të dëmeve. Ndërkohë, 96% e tyre do të trajtohen me bonuse.
“Shqipëria ka një frekuencë të lartë dëmi, por ecuria e pagesës së dëmit është pozitive”, shtoi Kaçi.
Bonuset dhe penalizimet do të ndahen sipas diapazonëve të përcaktuara në rregullore, me qëllim incentivimin e drejtuesve për të ulur numrin e dëmeve dhe aksidenteve.
Sistemi “bonus-malus” është një mekanizëm tarifimi në sigurimin e detyrueshëm MTPL, ku prima e sigurimit përcaktohet në bazë të historikut të dëmeve dhe eksperiencës së drejtimit të automjetit nga i siguruari.
Më tej, gjatë raportimit vjetor, Kaçi theksoi se viti 2024 u karakterizua nga një veprimtari intensive për forcimin e stabilitetit financiar, zhvillimin e qëndrueshëm të tregjeve nën mbikëqyrje dhe përafrimin me acquis të Bashkimit Evropian. Tregjet financiare të mbikëqyrura paraqiten të mirëkapitalizuara, me një rritje prej 17% të totalit të aktiveve, duke arritur në 131 miliardë lekë.
Sipas Kaçit, në tregun e sigurimeve, primet e shkruara bruto arritën në 25 miliardë lekë, ndërsa dëmet e paguara u rritën me 24,3%, duke reflektuar një treg më funksional dhe më të përgjegjshëm ndaj konsumatorëve. 70% e rasteve të aksidenteve nga mjetet e pasiguruara u trajtuan me procedura të përshpejtuara, dhe dëmet e fondit të kompensimit tejkaluan me 45,5% fondin e miratuar, duke shënuar një nivel historikisht të ulët të dëmeve pezull.
Tregu i sipërmarrjeve të investimeve kolektive dhe ai i fondeve të pensionit privat, u shpreh ajo, kanë pasur rritje të qëndrueshme, me zgjerim të alternativave investuese dhe pjesëmarrje të shtuar nga investitorët, ndërsa vlera neto e aktiveve në tregun e fondeve të pensionit arriti në 8.11 miliardë lekë. Po ashtu, tregu i kapitalit shënoi rritje të ndjeshme, ku tregu i obligacioneve me ofertë private arriti në 28 miliardë lekë.
AMF ka qenë aktive në përafrimin me standardet evropiane, duke udhëhequr Kapitullin 9 për Shërbimet Financiare, me progres të vlerësuar nga Komisioni Evropian në raportin e tetorit 2024. Me miratimin e ndryshimeve në ligjin për sigurimet dhe atë për Autoritetin, është përmbyllur një cikël rishikimi 5-vjeçar i kuadrit ligjor, duke e modernizuar atë në përputhje me direktivat e BE-së.
Kaçi raportoi se për herë të parë gjatë vitit 2024, raporti dëm-prime arriti nivelin më të lartë, ndërkohë që u ndërmorën 15 masa mbikëqyrëse dhe korrigjuese ndaj subjekteve, përfshirë sanksione financiare.
“Rritja e rolit të AMF-së në arenën ndërkombëtare u konfirmua edhe me zgjedhjen e Shqipërisë si vend pritës i Konferencës Vjetore të IAIS në vitin 2025, për herë të parë në rajonin e Ballkanit”, deklaroi Kaçi.