Rreth 70 minatorë të minierës së kromit në Spaç kanë pezulluar punën dhe janë grumbulluar në hyrje të kompanisë “TETE Albania Tunnel and Mining” sh.a., duke protestuar për nënshkrimin e një kontrate kolektive që, sipas tyre, do të përmirësojë kushtet e punës dhe do të sjellë rritje të pagave.
Greva nisi pas dështimit të negociatave me drejtuesit e kompanisë, një subjekt me kapital turk që operon në zonën minerare në bazë të një kontrate me shtetin shqiptar.
Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar për protestën e minatorëve në Spaç, duke theksuar se Kushtetuta e Shqipërisë u jep të drejtën punonjësve për t’u organizuar dhe për të hyrë në grevë.
Sipas tij, “ndërhyrja e policisë me duar, këmbë dhe një gojë të shthurur shkel rëndë Kushtetutën e Shqipërisë! Neni 50 dhe Neni 51 i japin punonjësve të drejtën për t’u organizuar dhe për të hyrë në grevë. Pronari turk nuk mund t’ua mohojë këtë të drejtë” u shpreh Braçe, i cili është dhe anëtar i Komisionit për Çështjet e Punës në Kuvend.
Nga krahu tjetër, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku theksoi se greva është legjitime dhe se minatorët kanë të drejtë të kërkojnë kushte dinjitoze dhe respekt për punën e tyre.
“Minatorët e Spaçit nuk kërkojnë lëmoshë, por dinjitet. Ata janë shtylla e punës dhe ndershmërisë shqiptare. Trajtimi i tyre me dhunë është i papranueshëm”, shkruan Tabaku në rrjetet sociale.
Ajo rikujtoi se vitin e kaluar ka dorëzuar në Kuvend Ligjin për Statusin e Minatorit. “Është koha që ky profesion i rrezikshëm të njihet me dinjitetin që meriton”, theksoi deputetja demokrate.
Minatorët kanë paralajmëruar se do të vijojnë pezullimin e punës derisa kërkesat e tyre të merren seriozisht nga kompania dhe institucionet shtetërore.