Qeveria greke planifikon të shkurtojë përfitimet për refugjatët me gati 30%, njoftoi të Ministria e Migracionit, në një përpjekje për të ulur nxitjen për kërkuesit e azilit dhe për të reduktuar kostot buxhetore.
Shuma totale e fondeve të lidhura me azilin do të ulet nga 400 milionë euro (rreth 467 milionë dollarë) në 288 milionë euro në vit, duke u përqendruar te programi i strehimit “Helios”, i cili përfshin subvencione qiraje për refugjatët. Këto përfitime do të ndërpriten.
Në vend të tyre, fondet do të drejtohen drejt programeve për “integrimin në tregun e punës” dhe “mësimin e gjuhës greke.
“Kushdo që do të marrë azil në të ardhmen, nuk do të jetojë më me ndihma të përhershme, por do të integrohet në shoqëri përmes punës”, deklaroi ministri i Migracionit, Thanos Plevris.
Pagesat mbështetëse në të ardhmen do të mbulojnë vetëm “nevojat absolute”, shtoi ai, pa dhënë detaje.
Qeveria konservatore e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis thotë se masat janë në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian. Qëllimi është që Greqia të bëhet më pak tërheqëse si destinacion për migrantët, duke ulur njëkohësisht shpenzimet shtetërore.
Rregullat janë ashpërsuar edhe për ata që u refuzohet kërkesa për azil. Në të ardhmen, kushdo që qëndron ilegalisht në Greqi dhe refuzon të largohet vullnetarisht do të përballet me të paktën tre vjet burg.
“Të prekurit duhet të kenë vetëm dy mundësi në të ardhmen: burgim ose kthim”, tha Ministria e Migracionit.