Sot është dita e dytë e Konferencës së Ambasadorëve “Diplo 2025“, me temë “Shqipëria 2030, e ndërlidhur me botën”. Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Energjisë dhe e Infrastrukturës ka marrë fjalën. Ajo vuri theksin tek Diplomacia ekonomike, duke iu thënë ambasadorëve se prej vitesh diplomacia ekonomike është kthyer në kryefjalë por sot më shumë se kurrë Shqipëria ka nevojë për ta si “ambasadorë ekonomikë”.
Diplomacia ekonomike s’mund të mbetet vullnet i ndonjë ambasadori
Zëvendës ministrja shtoi se diplomacia s’mund të mbetet vullnet i asnjë ambasadori.
“Nuk mund të mbetet diplomacia ekonomike si dëshirë apo vullnet i ndonjë ambasadori apo aftësi karakteriale. Diplomacia ekonomike duhet të qëndrojë në bazë të trupës diplomatike shqiptare, si një nxitje e vazhdueshme sepse sot kemi mundësinë për të promovuar një produkt të jashtëzakonshëm siç është Shqipëria. Shqipëria e energjisë së gjelbër, e interkonekivitetit, Shqipëria e kulinarisë, Shqipëria e turizmit që jam e sigurit që kudo shkoni dhe uleni ju flasin ndryshe nga sa flisnin më parë.”
Që të anëtarësohemi në BE, duhet punë dhe transparencë
Gjatë fjalës së saj, ministrja Balluku theksoi rëndësinë jetike garantimit të transparencës si dy shtylla kyçe në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian.
“Një realitet që është i prekshëm dhe çdo ditë e më shumë dëgjojmë se kemi datën kur vendi ynë mund të anëtarësohet në BE. Por që të anëtarësohemi në BE, të gjithë së bashku duhet të angazhohemi në detyrat tona, që fillojnë nga diplomacia tek shtimi i kapaciteteve të burimeve të rinovueshme. Shqipëria sot ka një ekonomi të qëndrueshme, sot është duke krijuar një ekonomi konkurruese, moderne dhe mbi të gjitha transparente.
Kur mora detyrën, kolegët tuaj na flisnin për transparencën, që investitorët e huaj e kishin të vështirë të vinin në Shqipëri, pasi proceset, projektet nuk ofronin transparencën e duhur. Sot Shqipëria është një nga vendet më atraktive për shkak të burimeve që ka, dhe nuk i referohemi vetëm burimeve natyrore.”, tha Balluku.
Investimet në infrastrukturën rrugore
Ministrja Balluku mes të tjerash gjatë fjalës së saj theksoi se investimet në infrastrukturën rrugore vitet e fundit kanë qenë parësore.
“Janë projekte rajonale të rëndësishme që kontribuojnë në ndërlidhjen e Ballkanit Perëndimor dhe, nga ana tjetër, duke pasur parasysh pozicionin gjeografik të jashtëzakonshëm të vendit tonë, e bëjnë Shqipërinë një portë hyrëse përmes Italisë dhe Greqisë në BE.
Kemi investuar shumë në vitet e fundit në infrastrukturën rrugore, si një nga infastrukturat parësore.
Kemi ndërtuar mbi 1 mijë kilometra rrugë, mbi 30 kilometra tunele e më shumë se 20 mijë metra ura, për të lidhur veriun me jugun, lindjen dhe perëndimin, për të ndërlidhur Shqipërinë me të gjitha vendet fqinje, duke shkurtuar kohët e udhëtimit në maksimum.
E kam thënë pak ditë më parë në një event për turizmin: zyra e statistikave më solli shifrat e Tunelit të Llogarasë, por më tha se do ishte mirë të shihnit shifrat e tunelit të Murrizit, pasi në një ditë, 90 mijë e 50 makina më 17 gusht kanë kaluar në zonat e Dibrës.”, tha Balluku.
Një park ere në Tropojë
Shqipëria po përgatitet për një nga projektet më të mëdha në Europë për prodhimin energjetik që vjen nga era. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëherazi zv/kryeministre, Belinda Balluku, u shpreh sot më 9 shtator gjatë konferencës së ambasadorëve “Diplo 2025” se ka nisur procedura e autorizimeve dhe pritet që parku të vendoset në zonën e Tropojës. Ajo u shpreh se projekti në fjalë do të financohet nga një kompani e madhe amerikane.
“Në muajt në vazhdim po përgatitemi për një nga projektet më të mëdha në Europë të prodhimit energjetik eolik. Për parkun e erës të vendosur në zonën e Tropojës, e cila ka nisur të gjithë procedurën e autorizimeve, e financuar nga një nga kompanitë më të mëdha amerikane që do t’i shtojë kurorës sonë energjetike një tjetër komponent të gjelbër”, tha Balluku.
Zv/kryeministrja u shpreh se Shqipëria nuk po punon për një tranzicion të gjelbër, por për diversifikimin e një portofoli me disa burime të gjelbra. Duke iu drejtuar trupës diplomatike të pranishme gjatë konferencës Balluku tha se ata kanë shumë për të promovuar për vendin.
“Ndodhemi totalisht në një situatë tjetër. Ambasadorë dhe miq të mirë në këtë sallë që i njoh prej vitesh i kanë parë dikur të vështirësoheshin për të promovuar vendin tonë, por e di që sot e kanë shumë më të lehtë”, tha ajo.
Sipas ministres duhet një organizim molekular jo vetëm nga trupa diplomatike dhe Ministria e Jashtme, por edhe nga ministritë e linjës. Këto të fundit duhet të ushqejnë me informacion diplomatët shqiptarë për t’i shndërruar në promotorë të vendit.
“Ju jeni sytë dhe veshët e Republikës së Shqipërisë kudo në botë”, tha Balluku.
Diskutimi i sotëm është i organizuar në tre panele, ku do të diskutohet për prioritetet ekonomike dhe projektet kyçe dhe pozicionimin e vendit në rrjetin global të tregtisë.


