Sot më datë 11 dhjetor 2025 po mbahet ceremonia e 35-vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike.
Në këtë ceremoni, mbajtën fjalën e tyre figura të ndryshme që kanë dhënë kontribut në PD.
Sali Berisha, në fjalën e tij tha se Partia Demokratike mbetet parti e interesave kombëtare. Ai u shpreh se PD mbron interesin e vendit, edhe sikur bota të jetë kundër Partisë Demokratike.
“Ne përulemi përpara themeluesve dhe drejtuesve të PD-së, Azem Hajdarit, Pjetër Arbnorit, Gramoz Pashkos, Ali Spahisë, Bujar Nishanit, Sokol Olldashit, Gerti Bogdanit dhe dhjetëra drejtuesve e qeveritarëve qendror e vendor. PD është partia e interesit kombëtar. Ne jemi partia që iu dha forcën shqiptarëve të kapërcenin 45 vite shtypje. Më 1990, mes pedagogëve që u ngritën ishte edhe një djalë i ri, Edi Rama, që sot është kthyer në një fatkeqësi për kombin. Ai u largua menjëherë nga PD, këtë e dinë të gjithë. PD e anëtarësoi vendin në NATO, bëri që shqiptarët të kenë të ardhura të mesme të larta. Partia Demokratike luajti rol të pazëvendësueshëm në pavarësinë e Kosovës. PD do të mbrojë interesin kombëtar, edhe sikur gjithë bota të jetë kundër Partisë Demokratike. Idealet tona do ta rrëzojnë narko-shtetin e vetëm në Europë”, deklaroi kreu demokrat.
Aktorja Rajmonda Bulku, në fjalën e saj, deklaroi se PD ishte partia që solli lirinë në Shqipëri.
“Duhet të dimë se nga vijmë. 35 vite më parë ishte diktatura komuniste, ishte Sigurimi i Shtetit, mund të ndodhte edhe të të asgjësonte fizikisht. Por, PD ndryshoi njëherë e mirë rrjedhën e vendit, duke sjellë demokracinë. Vazhdoni se ne do iu besojmë e do ju mbështesim. Fitore”, u shpreh aktorja Bulku.
Ish-ministri demokrat Genc Pollo, deklaroi se Partia Demokratike futi vendin në NATO dhe solli përparime të mëdha për vendin.
“Partia Demokratike arriti zhvillime të jashtëzakonshme. PD ishte ajo që futi Shqipërinë në NATO, duke krijuar edhe marrëdhënie të mira me aleatët tanë tradicionalë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera perëndimore”, tha Pollo.
Fjalën në këtë përvjetor e mbajti edhe Fiona Nishani, vajza e ish-presidentit të ndjerë Bujar Nishani. Ajo tha se i përket brezit, që shijoi liberalizimin e vizave, zhvillim që erdhi nga Partia Demokratike.
“Sot kujtojmë 35-vjetorin e themelimit të PD-së. Shqiptarët sfiduan frikën dhe i hapin rrugën demokracisë. Ne jemi brezi që udhëtuam pa viza, sepse PD liberalizoi vizat. Kur PD ka qenë në krye të vendit, Shqipëria ke ecur përpara”, deklaroi Fiona Nishani.
Partia Demokratike u themelua më 12 dhjetor 1990, duke u bërë partia e parë pluraliste në vend, pas një diktature të gjatë komuniste, që përjetoi vendi.


