Një aktivitet është zhvilluar ditën e sotme, 11 dhjetor 2025, për 30-vjetorin e Agjencisë së Prokurimit Publik në vendin tonë.
Pjesëmarrës ishte dhe kreu i qeverisë, Edi Rama, i cili mbajti një fjalim për të reflektuar mbi arritjet e deritanishme, si dhe përgatitjet për të ardhmen e prokurimeve publike.
Rama u shpreh se përparimi i teknologjisë është një “bekim” për vende si Shqipëria, të cilat kanë hasur prapambetje për shkak të historisë.
“Dua të theksoj që ne po e vazhdojmë reformën sepse duam të shkojmë jo vetëm më larg, por edhe duam të shkojmë aq larg sa na çon bekimi i sotëm i teknologjisë dhe AI, që janë realisht dhurata të një kohe të re për vende si i yni, ku e gjithë prapambetja e shkaktuar nga historia mund të kapërcehet me fuqinë e progresit eksponencial që jep teknologjia”, tha ai.
E duke u ndalur tek përparimi i teknologjisë dhe përdorimi i saj në prokurime publike, nuk kishte se si Rama mos të prekte dhe Diellën, një fenomen botëror siç e cilësoi ai, që u “ndesh kokë më kokë” dhe me Angelia Jolie.
“Të gjithë e keni dëgjuar Diellën, sepse Diella është bërë një fenomen botëror. Është një grua që për nga interesi që ka shkaktuar në të gjithë botën, ka arritur të konkurrojë në një moment Angelina Jolie“, tha Rama.
Diella, përveçse një risi, ka hasur dhe shumë kritika. Kështu, Rama shpjegoi se Diella nuk do të jetë plotësisht e pavarur, por çdo proces që ajo do të kryejë do të jetë i bazuar mbi ligjet ekzistuese të prokurimeve publike në Shqipëri.
“Dhe nga ana tjetër, keni dëgjuar të gjithë skeptikët lidhur me hyrjen e Diellës në këtë proces. Skeptikët, sipas së cilëve, algoritmet mund të kthehen në një problem, pasi edhe algoritmet janë të kontrollueshme dhe të manipulueshme nga njerëzit.
Është e habitshme se si edhe njerëz me një njohje shumë herë më të madhe se sa unë e ne, lidhur me IA, ngrenë si shqetësim pikërisht këtë aspekt. Ndërkohë që ajo që është shumë e thjeshtë për tu shpjeguar është fakti se Diella nuk do veprojë në mënyrë totalisht të pavarur nga sytë e të gjithë aktorëve të interesuar. Por, do të jetë në çdo hap e auditueshme nga çdo aktor i interesuar. Sepse, i gjithë procesi i cili do të zhvillohet mes rrugëve digjitale dhe IA, do të jetë sidoqoftë i bazuar në kërkesat e ligjit të prokurimeve sa i përket dokumentacionit përkatës“, tha ai.


