Afrikë e Jugut, 5 të vdekur dhe 22 të bllokuar nga shpërthimi në një minierë

Të paktën pesë persona janë konfirmuar të vdekur nga një shpërthim gazi në një minierë të braktisur në provincën lindore të Afrikës së Jugut, Mpumalanga, njoftoi një zyrtar qeveritar.

“Mund të konfirmojmë se deri tani janë tërhequr pesë trupa. Na është thënë se ka 22 njerëz të cilët janë të bllokuar ende nën tokë”, tha për transmetuesin lokal Enca Speedy Mashilo, ministër provincial për qeverisje bashkëpunuese dhe çështje tradicionale.

Mashilo tha se ekipi i shpëtimit ka ndërprerë përkohësisht aktivitetet dhe është kthyer në tokë, pasi ka mungesë oksigjeni nën tokë.

Ai tha se operacioni i shpëtimit do të rifillojë këtë pasdite pasi të marrin gjeneratorët për pompimin e oksigjenit nën tokë.

Mediumet lokale kanë cituar burime duke thënë se personat e bllokuar dhe të vdekurit kanë hyrë të mërkurën në minierën e shfrytëzuar Gloria Coal, siç dyshohet, për vjedhje të telave të bakrit.

Zyrtarët ende nuk e kanë konfirmuar këtë pretendim, por minierat e paligjshme janë një problem i madh në Afrikën e Jugut, ku njerëzit shpesh rrezikojnë jetën e tyre duke hyrë në miniera të braktisura për të gërmuar mineralet e mbetura.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi