Vazhdon ngërçi i çështjes “Shullazi”

Vazhdon të mbetet pa zgjidhje çështja Emiliano Shullazit e të tjerë. Gjatë ditës, kryeporokuroja e Krimeve të Rënda, zonja Donika Prela ka kërkuar ndërhyrjen e Arta Markut për të gjetur prokurorë të rinj. Ndërkohë, nga Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku nuk ka ende një përgjigjje.

Në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, pas bojkotimit të shortit, emri i Emiliano Shullazit ishte kryefjala e ditës. Jashtë kamerave prokurorët e konsiderojnë të drejtë këtë veprim, paçka se diçka e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë. Ata argumentojnë se janë të pavarur dhe nuk mund të shpallin pretencën për një dosje të pahetuar prej tyre.

Por, zyra e shtypit e Arta Markut njoftoi se kryeprokurorja ka urdhëruar procedimin disiplinor për 10 prokurorët që refuzuan shortin. Seanca e pretencës ishte vendosur për në 11 shtator, por prokurori Eneid Nakuçi, i sëmurë befas, ka kërkuar leje 6-mujore. Nuk dihet nëse prokurori ka frikë apo është kërcënuar. Këto dyshime shtohen edhe për faktin se Donika Prela gjatë mbledhjes ka propozuar blindim të grupit hetimor, me propozimin që nga dy prokurorë, gjatë mbledhjes në pretencë të paraqiten katër, përfshi edhe atë vetë.

Nga ana tjetër, Elisabeta Ymeraj, në datën 1 gusht u caktua në krye të prokurorisë së kryeqytetit e për këtë arsye të 110 dosjet që ajo kishte nën hetim u rishortuan dhe aktualisht po hetohen nga kolegët e saj.

Pavarësisht se Arta Marku nuk ka vendosur ende, nuk është çudi që Prokurorja e Përgjithshme ta zgjidhë situatën e paprecedentë me një autorizim e ndoshta sërish mund ta rikthejë Ymerajn për të shpallur konkluzionet.

Nuk është hera e parë që prokurorët rebelohen. Në vitin 1992, atëherë kur Prokuroria quhej Hetuesi, prokurorët bojkotuan detyrën për tre ditë me radhë, pasi kërkonin kushte më të mira pune, përfshi edhe kërkesën për letër të bardhë, për të marrë në pyetje dëshmitarët, të akuzuarit e të arrestuarit.

Por, rebelimi i prokurorëve ndodh në një moment delikat. Nga njëra anë, nën trysninë e vetting-ut ata duhet të hetojnë edhe krimin e organizuar. Nga ana tjetër, prokurorët e Krimeve të Rënda shprehen se nuk e dinë ende se cili është fati i tyre pas vetting-ut, sepse pas ngritjes së SPAK nuk dihet se ku do të përfundojnë ata që janë në këtë godinë.

Ajo që kuptohet është se fryma e Prokurorisë së Krimeve të Rënda prej kohësh e ka ndalur ritmin./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi