KOSOVA

Paqartësia rreth heqjes së vizave alarmon institucionet e Kosovës!

Spread the love

Deklaratat e disa prej zyrtarëve të Bashkimit Europian se liberalizimi i vizave mund të marrë edhe më shumë kohë, ka alarmuar institucionet e Kosovës, si në rrafshin e lobimit ashtu edhe në përmbushjen e disa obligimeve të mbetura, në kuadër të kritereve nga fusha e sundimit të ligjit.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha sot pas një takimi me Komisionin parlamentar për Legjislacion se është e habitshme se si Bashkimi Europian po e vë në pikëpyetje liberalizimin e vizave për këtë vit, tani kur Kosova plotësoi, sipas tij, të gjitha kushtet. Ai tha se procesi nuk është i rrezikuar, por nuk e përjashtoi mundësinë e shtyrjes së mëtutjeshme.

“Ka qenë një listë me kushte dhe ato janë kryer nga ana jonë. Tash është mirë të sqarohet pse ka ngecje dhe pse nuk kryhen. Ka shumë spekulime se përse ka ngecje. Në rastin konkret nëse ka votuar edhe Parlamenti Europian, atëherë ishte dashur të zbatohet kjo pjesa e mbetur (nga institucionet e BE-së). Nuk mendoj që është anuluar procesi i liberalizmit, ne jemi në proces, por është pak e habitshme që tash po hasim në vështirësi që të hyjmë në agjendë. Është pak e çuditshme”, tha Haradinaj.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha sot pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit se të gjitha kriteret janë plotësuar nga ana e institucioneve të Kosovës dhe se pret që edhe Franca, si shtet që ka shprehur skepticizëm lidhur me këtë proces, të reflektojë, pasi që, sipas Veselit, asnjë shtet i BE-së nuk do të ketë probleme me refugjatë nga Kosova nëse liberalizohen vizat.

“Refugjatë kosovarë në Francë dhe në të gjitha shtetet e BE-së ka shumë pak. Kosova ka arritur larg progresit të cilin e ka Gjeorgjia, Ukraina, Moldavia apo Shqipëria dhe thjeshtë duhet qytetarët tanë të lëvizin lirshëm. Nuk duhet të rritet skepticizmi, por duhet të rritet reflektimi i vendeve të BE-së që të respektojnë qytetarët tanë”, tha Veseli. Veseli tha se ai dhe përfaqësuesit tjerë të institucioneve do të ndërmarrin edhe vizita tjera lobuese ditëve në vijim, në mënyrë që vendet anëtare të BE-së, sidomos ato që hezitojnë, të kenë një pasqyrë të saktë për Kosovën. Në këtë kuadër ai tha se do të vizitojë Brukselin në përpjekje për të bindur vendet anëtarë të BE-së që të marrin një vendim pozitiv për liberalizimin e vizave.

Në anën tjetër, opozita vazhdon që ta mbajë përgjegjëse Qeverinë e Kosovës për vonesat në lidhje me heqjen e vizave.Deputetja Albulena Haxhiu tha se Qeveria në vazhdimësi është ankuar dhe ka hedhur fajin te palët tjera për ngecjet rreth liberalizimit të vizave, por asnjëherë nuk ka pranuar se fajin kryesor e bartë vetë.

“Dëshmia që opozita ka punuar në drejtim të liberalizimit të vizave janë draftet që ne i kemi finalizuar bashkë edhe me pjesën tjetër të partive të koalicionit. Prandaj, kanë qenë akuza të padrejtave njëherë ndaj opozitës, pastaj ndaj qytetarëve, pastaj ndaj Bashkimit Evropian. Por, asnjëherë fajin se merrni për vete. Unë konsideroj se përgjegjësinë kryesore këtu e ka Qeveria, me këtë rast edhe ministritë e Drejtësisë dhe Integrimeve”, tha Haxhiu.

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet gjatë ditëve në vijim në një seancë të jashtëzakonshme për të shqyrtuar katër projektligje të cilat ndërlidhen me liberalizimin e vizave: projektligjin për sinjalizuesit, projektligjin e Kodit Penal, përgjegjësitë disiplinore për prokurorët dhe gjykatësit si dhe projektligjin për konfiskimin e pasurisë së krijuar në mënyrë të paligjshme.

Ndërkaq, në fillim të dhjetorit në Kosovë pritet të qëndrojë edhe komisionari për zgjerim i BE-së Johannes Hahn, kohë kjo që përkon me mbajtjen e mbledhjes së Këshillit të Ministrave të BE-së ku ende ka dilema nëse do të procedohet ose jo me votimin e procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën./Mesazhi/

Related posts

Pacolli: Nuk do të ketë liberalizim të vizave as këtë vit

dritatv

Ramush Haradinaj: Bursat nuk do të zvogëlohen

dritatv

Lajçi: Debatet nuk e dëmtojnë Vetëvendosjen

dritatv

Leave a Comment