Nga Bujar M. HOXHA: Arti i të shkruarit, Hıncal-i dhe falënderimi për Zotin!

Më ndjek i përditshmi zakon i mëngjesit të hershëm… Të shfletoj shtypin elektronik…

Vetingu (nuk ia vlen më ta shkruash as në trajtën origjinale, aq vend ka zënë në shqip) i drejtësisë, i politikës, bashkimi i PDIU-së me opozitën, është shqiptare apo ndryshe “Air Albania”, mbyllja e ca shkollave, pagesa e “Rrugës së Kombit”, shkëmbimi i territorit me Serbinë, Thaçi patriot apo tradhtar, Panuçi dhe çuarja në gjyq e Nishanit…

Bombardimi ka rifilluar me mbarimin e pushimeve. Janë njësoj shkrimet, shkruesit… Asgjë nuk ka ndryshuar, asgjë nuk pritet të ndryshojë… Dikush shkruan thjesht, dikush tregohet më kompleks, por mbizotëron errësira, negativiteti. Asnjë dritëz shprese, asnjë dritëz lumturie… Ka vetëm një kënd shikimi, pa njerëzoren në mes, në luftë me tjetrin në llogoren karshi.

E mërzitshme, e padurueshme e tëra!

***

Kontrast!

Për shkak të ndjeshmërive personale, shtypi turk më zë një vend të posaçëm. Prej ditësh isha në merak për Hıncal Uluç-in; nuk kisha lexuar asgjë prej tij. Arsyeja e thjeshtë m’u bë e ditur sot, përmes një shkrimi të tij. Kishte qenë me pushime. “Bukuria e kthimit nga pushimet”, shkruante.

Hënxhalli është në të tetëdhjetat, e ka një hapësirë të veçantë për të tek e përditshmja “Sabah”. Polemizues i pashoq, po aq një shkrues i pashoq… Të prek në tela, të mëson artin e të shkruarit gazetaresk…

“Pjesa më e bukur e pushimeve është kthimi?… Një recetë lumturie më shumë për ju”, shkruan Hënxhalli me gëzim gati foshnjëror pasi ka kaluar ditë pushimi jashtë Stambollit.

“Hyra në bahçe, tetë macet që kisha lënë ishin bërë shtatëmbëdhjetë… Ç’pritje e këndshme…”

Hënxhalli rrëfen si mezi pret të shkojë në zyrë, të hapë kompjuterin dhe të ritakohet me lexuesit. “Ja, kështu jam tani… I emocionuar si fëmijë…”

Gjëja më e bukur është kthimi në shtëpi, thotë Hënxhalli… “Në daç lindje, në daç perëndim, nuk ka si shtëpia…”

Ka gjetur aty të vëllanë, të afërmit. “A ka një thesar të tillë si familja? Miq, jam njeriu më i pasur i botës…”

“Po miqtë? Orë të mrekullueshme kaluam me miqtë në Izmir, plot gëzim… Erdha… këtë herë miqtë në Stamboll u mblodhën në shtëpi… Ja një pasuri më tepër… Ç’miq që kam…”

E mbyll kështu Hënxhalli i ri në shpirt, falënderues ndaj Zotit: “Sa bujar është treguar Zoti i Lartë me mua. Ç’familje e mrekullueshme, ç’miq të mrekullueshëm… U lumturova ku shkova, u lumturova kur u ktheva në shtëpi. U lumturova kur erdha në punë… Faleminderit… Faleminderit… Faleminderit, Zoti im!”

Ky po, është shkrim!

Ky po, është mësim!

Ah, ç’emocion, ah, ç’mirënjohje për të shtrenjtat gjëra të dhëna bujarisht nga Zoti… Familja, miqtë…!

***

Mos më thoni se keni lexuar diçka të ngjashme nga këta kalemxhinjtë tanë…

P.S. Këtë fundjavë kisha një zbrazëtirë në stomak, një mungesë humori që nuk e di nga më vinte. Pas leximit të shkrimit të Hënxhallit e kuptova. Më mungonin miqtë, që nuk kisha mundur t’i ndjek në zbritjen dyditore në bregdet. Mërzitia nga mungesa e tyre më ndërgjegjësoi për këtë pasuri të falur nga Zoti. Faleminderit, Zoti im, për miqtë që kam! /tesheshi.com/     

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi