KOSOVA

Në Prishtinë u hap ekspozita mbi dhunën në familje!

Spread the love

Ekspozita që është hapur nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) të premten në Prishtinë synon nxitjen e viktimave të dhunës në familje të raportojnë tek organet e sigurisë.

Ekspozita e cila përmban materiale multimediale dhe interaktive, shfaq rrëfime të grave dhe burrave që kanë përjetuar dhunë në familje, përjetime këto të mbledhura nga RrGK.

Ekspozita u mundëson qytetarëve të informohen mbi atë se çka ofrojnë institucionet në trajtimin e këtij lloji të dhunës, ku mund të mbështeten dhe të kërkojnë ndihmë dhe drejtësi.

Hulumtuesja nga Rrjeti i Grave të Kosovës, Adelina Berisha tha për AA se ekspozita u dedikohet viktimave të çfarëdo lloj dhune në familje, duke i inkurajuar ata që të lajmërohen në organet e rendit.

“Kjo ekspozitë siç po e shihni edhe nga vetë titulli i saj, është thirrje për të gjithë qytetarët të cilët dëgjojnë dhunë tek fqinjët apo kudo që e dëgjojnë ta raportojnë atë. Por, gjithashtu edhe për ata persona të cilët përjetojnë ndonjë formë të dhunës në familje apo ndonjë formë tjetër të dhunës ta raportojnë, mos ta fshehin brenda mureve por të kërkojnë ndihmë, mbështetje dhe marrin mbështetje nga institucionet vendore”, tha Berisha.

Berisha tregoi se janë mbi 1.200 raste të dhunës në familje të cilat raportohen në polici çdo vit. Sipas një hulumtimi të RrGK-së në vitin 2015, Berisha tregon se janë mbi 62 për qind e qytetarëve të Kosovës që kanë përjetuar ndonjë formë të dhunës në familje gjatë tërë jetës së tyre. Po kështu janë 68 për qind të grave dhe 56 për qind të burrave të cilët kanë përjetuar ndonjë formë të dhunës në familje gjatë jetës së tyre.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun edhe të shtunën. Përveç kryeqytetit, në muajt e ardhshëm kjo ekspozitë do të shfaqet edhe në gjashtë komuna të tjera të Kosovës. Ajo është përkrahur nga BE-ja, UN Women, Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) si dhe biznese vullnetare.

Related posts

Deda: Thaçi nuk e di kuptimin e fjalëve që thotë

dritatv

Veseli: Kujtojmë burrat e gratë e kombit tonë që mbrojtën familjet hebrenje

dritatv

Thirrja e Thaçit për gjithëpërfshirje në dialog me Serbinë, opozita: pse i themi jo presidentit

dritatv

Leave a Comment