Haradinaj: Kamenica, shembull i mirë i integrimit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka vizituar gjatë ditës së sotme komunën e Kamenicës, ku është shprehur se kjo komunë është shembulli më i mirë i integrimit. 

Haradinaj ka shprehur mbështetjen e qeverisë për këtë komunë, ku ai tha se vizita e tij bëhet me qëllim të përafrimit të temave që e preokupojnë këtë komunë.

Haradinaj:  Kamenica, shembull i mirë i integrimit

“Ajo që na inkurajon është me pa një gatishmëri tani dhe një zotësi të komunës që të gjitha bashkë, pra edhe spektri politik po edhe komunitetet të kenë gatishmëri të shkojnë në ide të përbashkëta edhe serbët e Dardanës. Me këtë mendoj se është edhe një mundësi e mirë me i mundësua edhe partnerëve ndërkombëtar qofshin të BE-së apo Amerikës me përkrah me ndonjë projekt të përbashkët edhe nëse është fjala për arsim, nëse është fjala për shëndetësi, sepse, vërtet këtu jepet shembulli më i mirë i një jete të integruar dhe ju përgëzojmë”, tha Haradinaj.

Ndër të tjerash në këtë takim është biseduar edhe për testin PISA, ndarjen e granteve për fermerët, renovimin e shtëpisë së kulturës e shumë tema të tjera.

I pari i Qeverisë së Kosovës ka lavdëruar komunën e Kamenicës për sigurinë publike, ku ka thënë se kjo komunë ka dëshmuar vetëdije të ngritur qytetare dhe këtë sipas tij e dëshmon shkalla e ulët e incidenteve.

Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati tha se e vlerëson që vizitën e parë pas takimit që e kanë pasur me kryetar të komunave kryeministri e bënë në Kamenicë.

Kastrati: Diskutuam për çështje që ne kemi nevojë

“I diskutuam problemet dhe çështjet që ne kemi nevojë dhe nuk mundemi vetë si komunë t’i përballojmë realizimin e tyre. Por, gjithashtu pat edhe çështje të tjera që kryeministri i ngriti dhe na tregoi se si i kanë mundësitë me na përkrahë prej çështjeve të pronave publike, nëse e konsiderojmë që do të hyjnë në funksion për zhvillim ekonomik e deri edhe bashkërisht t’i drejtohemi institucioneve ndërkombëtare, organizatave tjera që për çështje apo vlera të caktuara që ata janë të interesuar me i mbështet me i shty përpara”, tha Kastrati.

Haradinaj pas takimit me kryetarin e Kamenicës është takuar edhe drejtorët e drejtorive dhe asamblistët e kësaj komune.

Në këtë takim kryeministri Haradinaj u pyet rreth dislokimit të kazermës së FSK-së në Gjilan, ku u propozua që për shkak të pozicionit gjeografik të vendoset kjo kazermë në Kamenicë. Haradinaj tha se dislokimi mund të jetë në planet e FSK-së, por që tha se do të interesohet se si do të jetë e ardhmja e kësaj kazerme.

Haradinaj: Dislokimi i kazermës mund të jetë në planet e FSK-së

“Dislokimi i kazermës mund të jetë në planet e FSK-së, unë mund të interesohem se si është e ardhmja e këtij dislokimi dhe a mund të parashihet kjo. Ajo çka po bëjmë me kujdesin më të madh është se unë e kuptoj pyetjen e juaj, ajo çka po bëjmë është që të sigurohemi meqenëse jemi vonë si Kosovë, si shtet atëherë të vijmë edhe me kualitete të reja. Pra, të mos bëjmë pjesë në kualitete të kaluarës, por të vijmë me një kualitet sa më të mirë, sa më modern, sa më të avancuar. Dëshira jonë është që FSK-ja që është një forcë moderne e re, të jetë avangardë, të jetë e avancuar. Me siguri do të integrohet si gjeografi edhe kjo trevë, por të mos nxitohemi të themi në cilën mënyrë”, tha kryeministri Haradinaj. /kp/.

Shtojca

Lini nje Koment