BOTA

Bregu Perëndimor, shënohet Dita e të Burgosurve Palestinezë

Spread the love

Mijëra palestinezë të mërkurën vërshuan në rrugë në gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli për të përkujtuar Ditën e të Burgosurve Palestinezë, e cila çdo vit shënohet më 17 prill.

Në qytetin e Nablusit në Bregun Perëndimor, mijëra palestinezë shënuan këtë ditë duke valëvitur flamuj palestinezë dhe duke mbajtur fotografi të të dashurve të tyre të burgosur.

Protesta të ngjashme u mbajtën edhe në Ramallah, Jenin, Betlehem, El Halil (Hebron), Tulkarm dhe Qalqilya, ku demonstruesit kërkuan lirimin e menjëhershëm të palestinezëve që vuajnë në burgjet izraelite.

Palestinezët për herë të parë filluan të shënonin Ditën e të Burgosurve në vitin 1974, kur Këshilli Kombëtar Palestinez miratoi 17 prillin si ditë kombëtare dhe ndërkombëtare për të shfaqur solidaritet me të burgosurit palestinezë.

Sipas Komitetit të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO) për të burgosurit dhe ish të burgosurit, rreth 5.700 palestinezë vuajnë aktualisht në burgjet izraelite, duke përfshirë shumë gra dhe fëmijë dhe një numër ligjvënësish.

Sipas PLO-së, më shumë se një milion palestinezë janë mbajtur në burgjet izraelite, me kohëzgjatje të ndryshme, që nga viti 1967, kur Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor, duke përfshirë Kudsin Lindor dhe Rripin e Gazës.

Që nga viti 2000, Izraeli llogaritet të ketë arrestuar mbi 10.000 fëmijë palestinezë në Bregun Perëndimor, Kudsin Lindor dhe Rripin e Gazës.

Mbi 60 për qind e fëmijëve të arrestuar raportohet se i nënshtrohen një forme të torturës fizike ose psikologjike nga autoritetet izraelite.

Rreth 500 palestinezë mbahen aktualisht nën masën e ashtuquajtur “burgim administrativ”, nën të cilin të dyshuarit mund të mbahen pa gjyq ose aktakuzë për periudha gjashtëmujore me mundësi vazhdimi.

Kjo praktikë u krijua për herë të parë nga britanikët gjatë mandatit britanik në Palestinë nga viti 1923 deri më 1948.

Sipas Shoqatës Palestineze të të Burgosurve (PPA), gjithsej 218 palestinezë kanë vdekur në burg që nga viti 1967.

Nga këta, shtatë janë qëlluar, 72 janë torturuar deri në vdekje dhe 63 kanë vdekur për shkak të mungesës së kujdesit mjekësor.

“Tetëdhjetë e tre të tjerë kanë humbur jetën si rezultat i vrasjes së paramenduar ose ekzekutimit jashtëgjyqësor menjëherë pas arrestimit”, tha për AA kreu i PPA-së, Qadura Fares.

Related posts

Izraeli planifikon vendbanime të reja ilegale në Bregun Perëndimor

dritatv

Brexit, Hunt: BE-ja e gatshme ta rinegociojë marrëveshjen

dritatv

Forcat izraelite arrestojnë 16 palestinezë në Bregun Perëndimor

dritatv

Leave a Comment