Zv/kancelari austriak dëshiron që vendi i tij të ndërmjetësojë mes Kosovës dhe Serbisë

Njohja e Kosovës është çështje e Serbisë, kurse presioni mbi të për ta pranuar Kosovën është mënyrë e gabuar, tha Heinz-Christian Strache, zv/kancelar i Austrisë, para vizitës në Beograd.

“Mendoj se njohja e Kosovës është çështja e vetme e Serbisë. T’i bëhet presion vendit për këtë do të ishte mënyra e gabuar. Austria, si një vend neutral, duhet të luajë rolin e një ndërmjetësuesi”, tha Strache për gazetën serbe “Politika”.

Strache përkujton se partia e tij, Partia e Lirisë (FPO), (parti e skajshme konservatore), kritikoi ashpër njohjen austriake të Kosovës, por tani është një fakt që nuk mund të ndryshohet më.

Zv/kancelari austriak tha se shpreson se është i mundur një kompromis në kuadër të dialogut të Brukselit midis Beogradit dhe Prishtinës.

Duke potencuar se Serbia pa dyshim është një nga vendet më të rëndësishme në rajon dhe garantues i paqes dhe stabilitetit, Strache thotë se vendi Serbia në aspektin e anëtarësimit në BE është në një rrugë shumë të mirë.

Sipas tij, e drejta për vetëvendosje të Kosovës veriore apo autonomia do të ishte e dëshirueshme.

“Por për këtë, fatkeqësisht, nevojiten negociata të gjata dhe të ndërlikuara. Më duket se Prishtina është shumë e qartë për këtë çështje”, tha Strache, i cili do të takohet të hënën me shefin e diplomacisë serbe, Ivica Daçiq.

Lideri i Partisë së Lirisë, Heinz Christian Strache njihet si mik i Serbisë. Ai si lider i partisë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka marrë pjesë në një miting të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të Tomislav Nikoliqit dhe Aleksandar Vuçiqit, dhe me atë rast e ka quajtur Kosovën “zemër të Serbisë”. /Telegrafi/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi