Zgjedhjet lokale, lista me kandidatët e PS!

Partia Socialiste ka vendosur që konfirmimin zyrtar të kandidatëve për kryetar bashkie që do kandidojnë në zgjedhjet e qershorit, ta bëjë gjatë kongresit që të mbledhë më 30 mars. Para se të shkojë në këtë fazë, ajo ka premtuar se do të kryejë një analizë të punës së bërë nga kryebashkiakët aktualë dhe do të mbledhë kandidaturat që do të vijnë si propozime nga baza, për të bërë më pas edhe përzgjedhjen finale, që do kalojë në vendimmarrjen e kryesisë dhe më pas të kongresit. Por duket se ky rregull nuk vlen për të gjithë, pasi kur mbeten edhe afro 40 ditë nga mbajtja e kongresit, vetë kryeministri Edi Rama ka bërë konfirmimet e para të kandidatëve. Për këtë, ai ka nisur dhe një tur në bazë, të cilësuar pikërisht “Bashkia që duam” për të promovuar emrat që do të rikonfirmohen si drejtues të suksesshëm të pushtetit vendor.

 

 

 

Korça
Turi ka nisur pikërisht nga Bashkia e Korçës, e cila për socialistët konsiderohet si një nga bashkitë që ka performuar më mirë në këtë dekadën e fundit dhe ku kryeministri i ka hapur dritën jeshile rikandidimit të Sotiraq Filos për një mandat të dytë të plotë. Ndërsa ka diskutuar me një nga pjesëmarrësit në këtë takim, Rama ka theksuar se Sotiraq Filo i duhet Korçës edhe për ca kohë, duke e bërë tashmë fakt të kryer rikandidimin e tij. “Këtë do ta mbajmë në punë këtu. Ky të rrijë në punë dhe t’i marrë shënim këto vërejtje, por na duhet dhe për ca kohë”, – tha Rama duke lënë të qartë tashmë se nuk ka më dilemë në drejtim të rikandidimit të tij.

Tirana
Por ky nuk është kandidati i parë që është rikonfirmuar personalisht nga Rama. Pak javë më parë, gjatë një takimi në Qytet Studenti, Rama thuajse në të njëjtën mënyrë la të kuptohet qartë se kandidati i PS-së për bashkinë më të madhe në vend, atë të Tiranës, do jetë Erion Veliaj. “Do të fillojmë ndërtimin e këtij kampusi dhe brenda mandatit tjetër të kryetarit të bashkisë ne do të përfundojmë kampusin universitar”, – u shpreh Rama gjatë atij takimi, deklaratë të cilën mediat e interpretuan gjithashtu si një rikonfirmim të kryetarit aktual Erion Veliaj. Një tjetër emër i sigurt që do të riknaidojë është edhe ai i Armando Subashit. Bashkia e Fierit, ashtu si edhe ajo e Korçës vlerësohen në PS si bashkitë që kanë bërë një punë shumë të mirë.

Elbasani
Nga ana tjetër, një kandidaturë thuajse e sigurt tashmë është ajo e Gledian Llatjas në Elbasan, i cili do zëvendësojë Qazim Sejdinin, i cili ka vendosur që të mos rikandidojë për një mandat të katërt. Largimin e Sejdinit e ka konfirmuar edhe i deleguari i kryesisë së PS-së për Elbasanin dhe kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, pak ditë më parë. “Qazim Sejdini ka vendosur që të mos jetë më kandidat në krye të Bashkisë së Elbasanit. Është një vendim i tij”, – tha Balla. Ndërkohë që nga ana tjetër, kandidimin e Llatjas e ka konfirmuar deri diku edhe ministrja e Transporteve, Belinda Balluku gjatë mesazheve të bëra dje publike në media, ku fliste me superlativa për Llatjan. “Lala e ka ndarë mendjen, nuk kandidon. Po vendos Gledin”, – shkruante Balluku.

Durrësi
Ndërkohë që mbetet e paqartë situata në Bashkinë e Durrësit, ku Dako pavarësisht skandalit të blerjes së votave, dëshiron ende të rikandidojë. Pak ditë më parë, gjatë një interviste televizive, ai u shpreh se nuk ndihej i lodhur dhe se i pëlqente të ishte kryetar i Bashkisë së Durrësit. Gjithsesi, ai u shpreh se edhe nëse nuk do ishte kandidat, do të ishte në krye të fushatës së PS për këtë qark. “Në çdo rast, në çfarëdolloj pozicioni, unë do të jem në krye të fushatës elektorale dhe do të garantoj që fitorja të jetë edhe më e thellë sesa në vitin 2015”, – u shpreh Dako. Ndërkohë që një kandidaturë që flitet se mund ta zëvendësojë atë është kreu i OSSHE-së, Adrian Çela. I sigurt paraqitet edhe kandidimi i Pjerin Ndreut për kryetar të Bashkisë së Lezhës, apo Tonin Marinajt në Malësinë e Madhe, Kastriot Gurrës në Librazhd. Ndër emrat e tjerë që përfliten në PS këto ditë është edhe kandidimi i Senida Mesit në Shkodër, Flamur Golemit në Gjirokastër, Safet Gjicit në Kukës, apo edhe Ervin Dema në Berat. Thuajse i sigurt është nga ana tjetër mosrikandidimi i Floriana Kokës në Sarandë.

Kandidatët e përfolur në PS

Tiranë – Erjon Veliaj
Durrës – Adrian Çela ose Vangjush Dako 
Elbasan – Gledian Llajtja
Korçë – Sotiraq Filo 
Fier – Armando Subashi
Shkodër – Senida Mesi
Gjirokastër – Flamur Golemi
Vlorë – Dritan Leli
Lushnje – Tatja Pirro 
Librazhd – Kastriot Gurra
Berat – Ervin Demo
Lezhë – Pjerin Ndreu
Malësi e Madhe – Tonin Marinaj
Kukës – Safet Gjici
Himarë – Jorgo Goro

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi