Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, KQZ nis sot punën, hidhet hapi I

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), sot do të mbajë mbledhje për përgatitjet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, gjatë ditës së djeshme ka dekretuar shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës dhe pak orë më vonë, ai ka caktuar datën e zgjedhjeve të parakohshme në vend.

Presidenti Thaçi ka caktuar që 6 tetori të jetë dita kur do të mbahen zgjedhjet. Me këtë rast presidenti ka udhëzuar Komisionin Qendror Zgjedhor që të t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve.

E menjëherë pas këtij vendimi është mobilizuar KQZ-ja, e cila sot do të mbajë mbledhje. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për lajmi.net, se gjatë ditës së sotme, ky organ do të mbajë mbledhje ku pritet të bëhet miratimi i buxhetit të planifikuar për këto zgjedhje.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë ditës së sotme do të mbajë mbledhje. Në rend të ditës së mbledhjes së KQZ-së do të jenë disa vendime: shkurtimi i afateve kohore të aktiviteteve zgjedhore duke i përshtatur me ditët në dispozicion të KQZ-së; miratimi i Planit Operacional; miratimi i buxhetit të planifikuar për këto zgjedhje”, ka thënë Elezi.

Sipas tij, përmes kësaj mbledhjeje KQZ-ja do të mund të arrijë t’i përmbush të gjitha detyrimet ligjore dhe kushtetuese.

“Kjo mbledhje po ashtu do të mbahet në mënyrë që KQZ-ja të arrijë të përmbushë të gjitha detyrimet kushtetuese dhe ligjore do të marrë vendim për zgjatjen e orarit të punës për stafin”, ka deklaruar Elezi.

Theksojmë se deri te zgjedhjet e parakohshme ka ardhur si pasojë e ftesës së Gjykatës Speciale që i është bërë Ramush Haradinajt, në cilësinë e të dyshuarit. Pas marrjes së kësaj ftese, Haradinaj kishte dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit më 19 korrik.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi