10.5 C
Tirana

Zelensky paralajmëron negociatorët në Paris, përplasen NATO e Moska

Më datë:

Për herë të dytë brenda dy javësh dhe të dhjetë që pas fillimit të pushtimit rus, Volodymyr Zelensky u takua me presidentin francez Emmanuel Macron të hënën në Paris. Negociatat për paqen vijojnë, por mbrëmjen e së dielës Putin deklaroi se trupat e tij kishin shtënë në duar Pokrovsk, një qytet strategjik për përparimin e tyre, edhe pse ukrainasit nuk e kanë konfirmuar.

Më pas, sipas Kremlinit, “ai kërkoi që ushtarët të pajiseshin me gjithçka kanë nevojë për të kryer operacionet ushtarake gjatë dimrit.” Këto fjalë nuk lënë vend për një armëpushim të afërt, përkundrazi, shkruan Il Corriere della Sera.

Presidenti ukrainas u rikthye në Pallatin Elysée për të kërkuar dhe marrë para botës, rikonfirmimin e mbështetjes politike dhe diplomatike europiane pas skandalit të korrupsionit të disa ditëve më parë që shkaktoi dorëheqjen e shefit të kabinetit dhe mikut të tij, Andriy Yermak.

Ky ishte një hap i rëndësishëm për Zelensky, edhe për hir të baraspeshës së brendshme të Ukrainës teksa Steve Witkoff udhëton drejt Moskës për t’u takuar me Putin. Witkoff shoqërohet nga dhëndri i Trump, Jared Kushner. “Refuzoj t’i jap leksione Ukrainës” për korrupsionin, tha Macron gjatë konferencës për shtyp.

Takimi në Paris i dha mundësinë për një telefonatë me kryeministrin britanik Keir Starmer dhe liderët europianë, përfshirë Giorgia Meloni. Zelensky e Macron folën edhe me Witkoff dhe Rustem Umerov që po mbanin diskutime paralele në Florida për të përsëritur që “lufta të mbarojë me dinjitet”, tha Zelensky. “Rusia s’mund të shpërblehet për pushtimin.”

Një nga pikat kryesore është kërkesa territoriale që Rusia kërkon t’i njihen rajonet e pushtuara që në 2022, mbi të cilat nuk ka kontroll të plotë. “Në momentin që ne po flasim për paqen, Rusia vazhdon të vrasë dhe shkatërrojë. Nuk ka plan paqeje sot që zgjidh çështjen territoriale”, tha Macron.

Në mbrëmje, ai foli në telefon me presidentin Trump për ta përditësuar lidhur me Zelensky dhe për të diskutuar “kushtet për një paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë dhe fazat e ardhshme të ndërmjetësimit amerikan.” Macron theksoi “dimensionin qendror të garantuesve të nevojshëm të sigurisë” për të siguruar Ukrainën që s’do të ketë pushtime të reja. Europianët po kërkojnë ndihmën e SHBA-ve për të mundësuar së bashku garantuesit e sigurisë, por po përballen me ndarje e vonesa që u vunë në pah nga presidenti Sergio Mattarella në forumin Itali-Spanjë në Pallatin Quirinale: “Dështimi për të arritur një mbrojtje të përbashkët europiane, të parashikuar për thuajse 70 vjet që pas Traktatit të Parisit në 1952, sot tregon gjithë pasojat dramatike të mosveprimit në procesin e integrimit.”

Ndërkohë po rriten tensionet për luftën hibride të Rusisë në Europë. Admirali italian Giuseppe Cavo Dragone që udhëheq komitetin ushtarak të NATO-s tha se aleanca po merr në konsideratë veprime më vendimtare, përfshirë një sulm kibernetik në Rusi si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të saj, sabotimeve dhe cenimeve të hapësirave ajrore.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova e quajti deklaratën e admiralit “një hap tmerrësisht të papërgjegjshëm.” Atë mbrëmje, ministri i Jashtëm Antonio Tajani u përpoq ta zbuste kuptimin e deklaratës. “Ishte një intervistë me admiralin Cavo Dragone. Ne duhet të mbrojmë interesat tona, të përforcojmë sigurinë tonë dhe të përgatitemi të vetëmbrohemi për një luftë hibride, por s’do ta kundërshtoja këtë.”

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

PD kërkon interpelancë me Ramën për Ballukun: Kryeministri vepron si avokat i saj

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar sot më...

Avokati i Popullit, Balla: Mbështesim kandidaturat e opozitës

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla,...

IA mund të ndajë informacione të rrezikshme… mjafton një poezi!

Gjithë çfarë ju duhet të tejkaloni barrierat e një...

“Matchy-matchy!” Ellie Goulding dhe Sienna Miller zbulojnë shtatzëninë në tapetin e kuq

Ellie Goulding dhe Sienna Miller janë në pritje të...