Zbulohet në Tiranë magazina plot me fishekzjarre

2 të rinj ranë në prangat e policisë së Tiranës, pasi në magazinën e tyre në rrugën “5 Maji” u zbuluan mijëra fishekzjarre. Irdi Kaca dhe Ersion Skënderi e administronin këtë biznes së bashku dhe malli i gjetur sipas policisë ishte futur kontrabandë.

“Si rezultat i veprimeve intensive të shërbimeve të Policisë, të mbështetura nga inteligjenca informative dhe të kryera në zbatim të planit të posaçëm operacional, të hartuar nga DPPSH-ja, pas nënshkrimit të udhëzimit të përbashkët të 3 ministrave, me objekt ndalimin e zhurmave në zonat e banuara dhe për garantimin e përdorimit të lëndëve piroteknike, konform ligjeve në fuqi, është zbuluar një magazinë, në rrugën “5 Maji”, Tiranë, ku mbaheshin qindra koli me fishekzjarre, të dyshuara të futura kontrabandë në vendin tonë, me qëllim shitjen.

Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Policisë, në këtë ambient, janë kapur në flagrancë dhe janë arrestuar bashkë-administratorët e këtij biznesi, Irdi Kaca 22 vjeç dhe Ersion Skënderi 20 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Në magazinë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 391 koli me mijëra fishekzjarre të kalibrave të ndryshme”, thuhet në një njoftim për mediat.

Policia e Shtetit apelon të gjithë qytetarët që të mos përdorin lëndë piroteknike, në kundërshtim me rregullat dhe me kriteret e përcaktuara në aktet në fuqi, pasi do të ndëshkohen konform ligjit.

Për rastin në fjalë reagoi edhe Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili u shpreh se keqpërdorimi i lëndëve piroteknike solli nevojën e një riorganizimi më të mirë të punës, për të parandaluar përdorimin e tyre në kundërshtim me ligjin.

“Makthi i banorëve për keqpërdorimin e lëndëve piroteknike solli nevojën e një riorganizimi më të mirë të punës së Policisë, në bashkëpunim me institucionet e tjera, për të parandaluar dhe goditur rastet e përdorimit të lëndëve piroteknike, në kundërshtim me ligjin.

Afrimi i festave të fundvitit e bën më të domosdoshëm intensifikimin e masave të Policisë, në këtë drejtim. Përgëzoj Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Policisë së Shtetit, për zbulimin dhe sekuestrimin e qindra kolive me fishekzjarre dhe kërkoj nga strukturat e Policisë së Shtetit, në të gjithë vendin, të intensifikojnë kontrollet duke filluar që nga pikat e kalimit kufitar e duke i vijuar ato, në magazina, dyqane, markete dhe kudo”, tha Balla.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi