Zaev në Tabanoc: Kohëzgjatja e procedurave doganore do të shkurtohet përgjysmë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, u takua me homologen serbe Ana Bërnabiq në vendkalimin kufitar Tabanoc-Preshevë, ku dy liderët njoftuan nisjen e projektit të menaxhimit të përbashkët të kufijve të quajtur “One Stop Shop”.

Pasi Zaev dhe Bërnabiq mbikëqyrën shkurtimisht funksionimin e këtij koncepti kufitar, ata në adresimet e tyre thanë se kjo praktikë do të lehtësojë në masë të madhe fluksin e udhëtarëve dhe mallrave.

Kryeministri Zaev tha se koncepti “One Stop Shop”, ndër të tjera, parashikon një menaxhim të përbashkët të kontrolleve kufitare dhe doganore me një ndalesë dhe kryerjen e përbashkët të formaliteteve kufitare dhe doganore në lëvizjen e mallrave dhe udhëtarëve.

Zaev theksoi se në vitin 2018, përmes Tabanocit kanë kaluar rreth 200.000 automjete, që është rreth një e katërta e qarkullimit të përgjithshëm në të gjitha vendkalimet kufitare në vend, duke shtuar se ky numër pritet të rritet me 30 për qind.

“Koncepti i ri “One Stop Shop” do të përshpejtojë fluksin e udhëtarëve, mallrave dhe automjeteve. Koha e kaluar në kufi do të zvogëlohet për më shumë se gjysma, duke kontribuar si në rritjen e numrit të turistëve midis dy vendeve, ashtu edhe në numrin e turistëve tranzit. Afaristëve do t’u shkurtohen përgjysmë procedurat doganore. Kontrollet do të kryhen në një vend nga ana e shërbimeve doganore”, tha Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut deklaroi se është paraparë njohja e ndërsjellë e certifikatave të agjencive kufitare, me çka sipas projekteve dhe analizave të qeverisë, pritet që me “One Stop Shop”, transportuesit dhe eksportuesit të kursejnë rreth tetë milionë euro në vit.

Nga ana tjetër, kryeministrja serbe Bërnabiq tha se ky është kalimi i parë i përbashkët kufitar në këtë pjesë të Evropës, duke shtuar se ai pritet të kontribuojë në rritjen e eksporteve, tregtisë dhe numrit të turistëve.

“Kjo nuk është ditë e rëndësishme vetëm për Republikën e Serbisë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut, por është një fillim potencialisht i ri për bashkëpunimin ekonomik, tregtar dhe rajonal në Ballkanin Perëndimor. Por, që ky të jetë një fillim i ri i vërtetë, na duhet guxim politik, vizion politik, duhet të shikojmë drejt së ardhmes dhe të mos përqendrohemi në politika populiste dhe shkurtpamëse”, tha Bërnabiq.

Kryeministja e Serbisë theksoi se bashkëpunimi rajonal po përballet me sfida për shkak të “pezullimit të marrëveshjes CEFTA nga ana e Prishtinës”, duke shtuar se është mençuri politike lidhja me njëri-tjetrin dhe jo bllokimi.

Përveç dy kryeministrave, fjalime mbajtën edhe përfaqësues të odave ekonomike nga të dy vendet, të cilët mirëpritën funksionalizimin e këtij koncepti kufitar. Në këtë aktivitet morën pjesë gjithashtu delegacione të përbërë nga ministra të të dy vendeve.

Pas ngjarjes, delegacionet u drejtuan për në kryeqytetin Shkup, ku kryeministrja Bërnabiq do të mirëpritet me një ceremoni solemne para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ndërsa është planifikuar që ajo të takohet edhe me presidentin Stevo Pendarovski.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi