20.5 C
Tirana

Ylli i Mirënjohjes për rektorin e Universitetit BOKU, Rama: Përkushtim në transformimin e Universitetit Bujqësor të Tiranës

Më datë:

Kryeministri Edi Rama nderoi sot me Yllin për Mirënjohje Publike, Profesor Hubert Hasenauer, rektorin e Universitetit BOKU në Austri.

Në ceremoninë e organizuar në selinë e kryeministrisë, Rama vlerësoi kontributin dhe përkushtimin e tij mbresëlënës në transformimin e Universitetit Bujqësor të Tiranës sipas modelit të BOKU të Vjenës, në rrugën e njehsimit të diplomave mes tyre.

“Besoj se kjo e sotmja nuk është thjesht një ceremoni nderi për një individ që e meriton plotësisht këtë nderim por është edhe një moment simbolik që rinxjerr në pah lidhjen mes dy traditash të vjetra dhe jo të vogla austriake dhe shqiptare, në një spirale të përbashkët vlerash, dijesh, përkushtimi”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se Profesor Hasenauer i bashkohet sot një konstelacioni yjesh që nga Austria kanë vezulluar mbi qiellin e Shqipërisë.

“Është një konstelacion i rrallë ku ndriçojnë figura që i kanë dhënë vendit tonë kulturë, gjuhë, identitet dhe dritë. Sot Profesor Hasenauer është i fundmi i një zinxhiri të gjatë që shtrihet në shekuj dhe që zanafillën e ka në Vjenë, ku u dëgjua për herë të parë tingulli i shqipes”, u shpreh Rama.

Ndërsa renditi disa nga personalitetet me kontribute në marrëdhëniet mes dy vendeve, Rama u shpreh se Profesor Hasenauer nuk është i pari austriak që dekorohet në këto vise.

“Përpara tij janë njerëz vërtetë të nderuar emri i të cilëve ka mbetur me plot të drejtë në historinë e këtij vendi, siç do të mbetet edhe emri i Hasenauer”, tha Rama, ndërsa solli në vëmendje edhe personalitete të tjera shqiptare si Aleksandër Moisiu që është në panteonin e teatrit austriak.

Kryeministri theksoi se Austria nuk e pa kurrë Shqipërinë si periferi, por e pa si një dritë që nuk duhej lënë të fikej.

“Sot, yjeve në qiellin e historisë sonë të përbashkët ju bashkohet një njeri i qetë dhe i përpiktë. Një njeri që rrezaton dritën e një mësuesi dhe zotërie që beson në forcën e dijes dhe mirësjelljes. Një njeri pa zhurmë, por jam i bindur se si rektor i Universitetit edhe një drejtues i hekurt”, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi se Profesor Hasenauer erdhi në Shqipëri jo për të folur për reformë, as për të dhënë mend, por duke u sjellë me truallin e Universitetit Bujqësor si në një truall shpirtëror ku po na jep një dorë për të mbjellë një pemë të re për këtë shekull të ri”, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi se falë kontributit të tij, UBT-së i ka rilindur jo thjesht shpresa, por i ka rilindur ambicia, dëshira dhe pasioni. “Mbi të gjitha i ka rilindur besimi që mbështetet tek një trupë akademike e cila individualisht i ka të gjitha vlerat e nevojshme por kolektivisht e kishte jashtëzakonisht të vështirë që të mblidhej dhe ndihej e bashkuar”, shtoi Rama.

“Sot ju jeni një tjetër xhevahir në vargun e gjatë të gjerdanit të miqësisë Shqipëri-Austri, apo një tjetër xhevahir në kurorën e kësaj miqësie. Nesër ju do të përmendeni së bashku me të tjerët në këtë komunitet shpirtrash që janë në këtë lidhje që ju po kontribuoni drejtpërdrejtë për ta bërë më të fortë. Ajo që i bashkon të gjithë ata austriakë të cilët e kanë emrin të shkruar në faqet e historisë së këtij vendi dhe që e bashkon edhe Profesorin me ta është një fakt shumë i thjesht: asnjëri prej tyre nuk iu qas Shqipërisë për të marrë por i qëndroi besnik Shqipërisë për t’i dhënë”, shtoi Rama.

Rama tha se Ylli i Mirënjohjes e fut Profesor Hasenauer në një tjetër grup shumë të vogël njerëzish, miqsh e aleatësh të cilët ne i kemi nderuar. Rama tha se Profesor Hasenauer duhet të përgatitet edhe për të marrë pasaportën shqiptare.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Tabaku: Pensionistët marrin 20 lekë në ditë, për tunelin e Llogarasë shkojnë 50 mln euro “

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku përmendi në Kuvend aferën...

Zbulohen dy shtëpi bari në Malësinë e Madhe, në pranga dhe dy punonjës të OSHEE

Malësi e Madhe/Finalizohet operacioni policor i koduar “Neonët 2”. Zbulohen...

 Energji nga hapësira, ëndrra për të transmetuar burim diellor nga orbita

Grumbullimi i energjisë diellore në orbitë dhe transmetimi i...

Dëshmon mjeku që vizitoi Nuredin Dumanin: Kishte një plumb në trup

Gjykata e Posaçme dëgjoi dëshmitarët e radhës të kërkuar...