Xhaferi pret delegacionin nga Bundestagu gjerman

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, ka pritur sot në një takim delegacionin e Komisionit për Çështjet e Bashkimit Europian nga Bundestagu i Republikës Federale të Gjermanisë, të udhëhequr nga kryetari i Komisionit, Gunther Krichbaum, i shoqëruar nga Harald Weyel dhe Thomas Hacker.

Kryetari Xhaferi, thuhet në njoftimin e kabinetit të tij, konstatoi se marrëdhëniet bilaterale mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë janë intensive, të shkëlqyera dhe të vazhdueshme, ndërsa përshëndeti faktin që Gjermania, përveç asaj që është përkrahës i fuqishëm i bashkimit të kontinentit europian, gjithashtu është edhe partneri tregtar më i madh dhe një nga partnerët bilateral zhvillimor më të mëdhenj të Maqedonisë.

Në kuadër të mbrojtjes, ka thënë Xhaferi, bashkëpunimi është në nivel jashtëzakonisht të lartë dhe falë mbështetjes së saj, Maqedonia filloi të marrë pjesë aktive në misionet paqësore “ISAF” dhe “Mbështetja e vendosur” në Afganistan.

Përveç kësaj, kryeparlamentari Xhaferi e përshëndeti nismën e kancelares Merkel për Procesin e Berlinit, qëllimi i të cilit është të futet një dinamikë më e madhe në procesin euro-integrues dhe ndërlidhje më e madhe ekonomike dhe infrastrukturore e vendeve në rajon por edhe hapjen e Zyrës për të rinj RYCO në Tiranë, sipas modelit francezo – gjerman, për pajtim post-konfliktual në rajon.

Në pjesën e bashkëpunimit parlamentar, Xhaferi i informoi për programin IPS për stazhin e kuadrove të rinj në Bundestagun gjerman. Ai i informoi të pranishmit edhe për proceset aktuale reformuese në Kuvendin e Maqedonisë dhe rrumbullakimin e pakos së reformave që rrjedhin nga Plani 3-6-9 me përkrahjen e opozitës.

Në vazhdim, Xhaferi foli edhe për hapat e ndërmarra në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore me Republikën e Bullgarisë dhe Republikën e Greqisë.

Krichbaum nga ana e tij, duke u falënderuar për mundësinë për realizimin e takimit të sotëm, u shpreh veçanërisht pozitivisht për programin IPS dhe për mundësinë që bursistët të vizitojnë trajnim në Kuvendin e Maqedonisë, para largimit të tyre në Gjermani.

Ai apeloi për bashkëpunim më të madh me opozitën dhe për dialog politik në raport me proceset euro-integruese për të cilat duhet të ekzistojë interes mbi-nacional dhe mbi-partiak ndërmjet të gjithë faktorëve që para së gjithash shkon në favor të gjeneratave të reja në vend dhe perspektivës europiane të vendit.

Në fund të takimit, Krichbaum e konfirmoi mbështetjen e Bundestagut në të cilin shumica e deputetëve janë për proceset euro-integruese si dhe mbështetjen e përgjithshme të Gjermanisë për anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe në NATO./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi