Xhafaj s’jep arsyet e dorëheqjes, por thotë se shërbeu me pasion

Ministri i larguar tashmë, Fatmir Xhafaj, përmes një postimi publikuar në faqen e Facebook të Ministrisë së Brendshme, ka falenderuar kryeministrin Rama për mundësinë e dhënë dhe shprehet se e ka dhënë me vullnet të plotë dorëheqjen, por pa dhënë ndonjë arsye konkrete.

“Pas më shumë se 1 viti në krye të Ministrisë së Brendshme, me vullnetin tim, i kam paraqitur Kryeministrit Edi Rama dorëheqjen time si Ministër i Brendshëm, duke e falënderuar për besimin e dhënë me emërimin në këtë detyrë të rëndësishme”, shkruan Xhafa, pas vendimit të papritur.

Në mesazhin e publikuar pas dorëheqjes, Fatmir Xhafaj, falenderon ekipin e kolegët me të cilët bashkëpunoi gjatë kësaj periudhe.

“Erdha në këtë detyrë për një mision të vështirë, shërbeva me pasion, me modesti dhe me devotshmëri në shërbim të shtetit, të ligjit dhe të qytetarëve”, shkruan ndër të tjera Xhafa.

Mesazhi i ministrit Xhafaj pas dorëheqjes nga detyra
Pas më shumë se 1 viti në krye të Ministrisë së Brendshme, me vullnetin tim, i kam paraqitur Kryeministrit Edi Rama dorëheqjen time si Ministër i Brendshëm, duke e falënderuar për besimin e dhënë me emërimin në këtë detyrë të rëndësishme.

Erdha në këtë detyrë për një mision të vështirë, shërbeva me pasion, me modesti dhe me devotshmëri në shërbim të shtetit, të ligjit dhe të qytetarëve.

Sfidat kanë qenë tepër të mëdha, por jam krenar se në krye të një ekipi me integritet e përkushtim në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, kemi mundur të arrijmë suksese shumë të rëndësishme në forcimin e rendit dhe sigurisë në vend, disa prej tyre të konsideruara të pamundura për vite të tëra.

Falënderoj të gjithë ekipin, kolegët, miqtë e mi dhe veçanërisht familjen time, si dhe të gjithë ata që më vlerësuan, besuan dhe më mbështetën gjatë gjithë kësaj periudhe.

Vlerësim dhe mirënjohje nga zemra për të gjithë ata gra dhe burra në uniformë, për gjithçka bënë gjatë kësaj periudhe në luftë me krimin dhe paligjshmërinë.

Një falënderim i veçantë edhe për partnerët vendas dhe ata të huaj, agjencitë ligj zbatuese vendase e ndërkombëtare, mbështetja e të cilëve ka qenë një inkurajim shumë i rëndësishëm./Top Channel/

 

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi