Përsëri protesta të dhunshme në Serbi. “Associated Press” raporton se policia serbe përdori gaz lotsjellës dhe dhunë ndaj mijëra protestuesve paqësorë në qytetin verior të Novi Sadit të premten, gjatë një proteste të udhëhequr nga studentët që kërkonin zgjedhje të lira dhe drejtësi.
Protestuesit në Novi Sad brohoritën “Duam zgjedhje” dhe “Vuçiç, ik” teksa premtuan të mbrojnë autonominë e universitetit.
Kjo ishte vetëm protesta e radhës, pas muajsh të tërë protestash kundër qeverisjes autokratike të presidentit Aleksandar Vuçiç, të cilat fillimisht nisën pas një incidenti tragjik që ndodhi dhjetë muaj më parë, kur një strehë prej betoni u shemb në stacionin e trenit në qytetin e Novi Sadit, duke lënë 16 të vdekur. Ngjarja shkaktoi zemërim publik për korrupsionin dhe neglizhencën shtetërore.
Lidhur me protestën e djeshme, nuk pati raportime të menjëhershme për të lënduar nga kaosi. Por ambulancat u panë duke lëvizur nëpër rrugët e Novi Sadit. Policia urdhëroi disa protestues, përfshirë gazetarë, të shtriheshin përtokë dhe iu vu prangat, ndërsa u kërkonin të identifikoheshin.
“Policia vetëm bëri punën e saj dhe e bëri në mënyrë plotësisht profesionale,” tha Vuçiç. Ai i përshkroi protestuesit si “frikacakë dhe plehra”, dhe sulmoi edhe një grup politikanësh europianë që ishin të pranishëm në protestë.
Vuçiç, i cili thotë se dëshiron ta anëtarësojë Serbinë në Bashkimin Europian, i ka quajtur protestuesit “terroristë” që sipas tij po përpiqen ta rrëzojnë nga pushteti me ndihmën e Perëndimit. Më herët këtë javë ai mori pjesë në një takim në Kinë, ku ishin edhe presidenti rus Vladimir Putin, liderët e Kinës dhe Koresë së Veriut, si dhe presidentët e Bjellorusisë dhe Iranit.
Studentët e universiteteve kanë qenë një forcë kyçe në protestat mbarëkombëtare që kërkojnë media të lira, zgjedhje të parakohshme dhe ndjekje penale për ata që janë përgjegjës për incidentin në stacionin e trenit.