Vuçiç hiqeni taksën pastaj bisedojmë

Vuçiç Serbia nuk do të pajtohet me regullat e reja, ka thënë sonte presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç duke i bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të tërheqë taksën prej 100 për qind për produktet nga Serbia, ndërsa kryeministrja Ana Brnabiç njoftoi se ata do të vazhdojnë ti bëjnë thirrje Bashkimit Europian të reagojë ndaj shkeljeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe CEFTA-s.

“Serbia nuk do të pajtohet me rregullat e reja të tyre. Tërhiqni taksën tuaj barbare, jo-civilizuese. Kur t’i tërheqni ato, jemi gati të flasim për të gjitha gjërat dhe për temën për të cilën dëshironi”, tha Vuçiç pas një takimi me të gjithë anëtarët e qeverisë serbe.

Ai shprehu shqetësimin se pa tërhequr këto masa, të gjithë do të jenë në një problem të madh, por “ne jemi të detyruar në këtë”.

Presidenti serb tha se “bashkësia ndërkombëtare duhet të kuptojë se duhet të kthehemi atje ku kemi filluar”, duke përsëritur se Serbia duhet të sigurojë një dorë pajtimi, sepse ajo duhet të ruajë paqen.

Vuçiç tha se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të vendosur 100 për qind të taksës ndaj produkteve nga Serbia ishte “përpjekja më e rëndësishme për destabilizim” me qëllim që të mos ketë serbë në Kosovë dhe u kërkoi serbëve të qëndrojnë në Kosovë, në të cilën shteti do të ndihmojë dhe do të gjejë një zgjidhje që të qëndrojnë.

Presidenti serb tha se atë që bënë “e kanë bërë për arsye të panjohura për ne”, duke shtuar se “ata besojnë se Serbia është fajtore për shkak se fitoi në votimin në Interpol”.

“Ata nuk kanë asgjë për të na thënë, ata bënë të njëjtën gjë ndaj Bosnjës e Hercegovinës, prandaj do të shohim ti koordinojmë aktivitetet me këtë vend për të vendosur sundimin e ligjit në rajon dhe brenda marrëveshjes së CEFTA”, tha presidenti serb.

Me rastin e arrestimit të katër personave të dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviçit, Vuçiç pyeti nëse dikush dëgjoi se kishin zgjidhur vrasjen e kreut të Iniciativës Qytetare të SDP. Ai shtoi se një nga të arrestuarit Aleksandar Curçiq ishte “rrahur brutalisht nga policia sepse ai po u bërtiste shqiptarëve në rrugë”.

“Më shumë se kushdo, ne duam të kapim vrasësit e Oliver Ivanoviçit dhe nuk ka rëndësi nëse ai është një serb apo një shqiptar”, tha ai, duke shtuar se veprimi nuk ishte i lidhur me të./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi