Ndeshje e çuditshme ajo që sapo përfundoi në “San Siro” dhe që pa Interin të ngecë nda Parmës së Kastriot Dermakut në një barazim 2-2, që do të prodhojë shumë polemika, sidomos për golin e barazimit të zikaltërve, që u caktua si i rregullt nga VAR-i, por që ka ndezur debat në Itali. Dhe jo vetëmm ky episod, por edhe vendime të tjera të kryesorit u kundështuan nga të dyja palët, aq sa të dy trajnerët respektivë u ndëshkuan me karton të verdhë.
Interi e nis ndeshjen mirë dhe kalon në avantazh me Kandrevën në minutën e 23-të. Duket se çdo gjë është në rrugën e duhur, por ish-zikaltëri Karamoh ka tjetër mendim. Ai do të barazojë shifrat 3 minuta më pas dhe në të 30-ën do asistojnë Zhervinjon për një përmbysje spektakolare të Parmës.
Interi irritohet dhe nuk po arrin të organizojë sulme me qetësi, madje mund të kishte pësuar sërish kundërsulmet e dukalëve. Pjesa e parë do të mbyllet me rezultatin 2-1 për Parmën, ndërsa në të dytën, siç pritej zikaltërit hidhen në sulm. Por janë konfuzë në atë çka kërkojnë të bëjnë deri kur në minutën e 51-të goli i Lukakut do të akordohet si i rregullt pas disa minutash konsultime të kryesorit Kifi me dhomën e VAR-it.
Tashmë duket se gjërat shkojnë nga kahu i duhur për Antonio Konten që kërkon dhe ndihëm e publikut, por në fund asgjë më shumë se kaq. Interi humbet një mundësi të artë për të parakaluar Juventusin në renditje. Bardhezinjtë kryesojnë dhe pas javës së 9-të me 23 pikë, ndërsa Interi ndjek në kuotën e 22 pikëve. Atalanta dhe Napoli kanë shansin të dielën për të ngushtuar diferencat me dyshen e kreut.