Vendoret 2019, si ndikon në vota kalimi i LSI dhe PDIU në opozitë

Kalimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, por edhe së fundmi i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, në koalicionin e djathtë ka sjellë një ndryshim të ndjeshëm të raporteve të votave, çka pritet të shoqërohet me një betejë të fortë në zgjedhjet e ardhshme lokale, që me shumë mundësi do të mbahen në qershor të 2019. Me afrimin e këtyre dy forcave, opozita ka shansin e madh që jo vetëm të rimarrë bashkitë që fitoi në zgjedhjet e shkuara, por edhe të rivalizojë mazhorancën e majtë edhe në shumicën e bashkive që ajo drejton aktualisht, përfshi këtu edhe në disa bastione të saj. Natyrisht që në rastin e zgjedhjeve vendore ndikojnë shumë faktorë, ndër të cilët një rol shumë të madh kanë vet kandidatët për kryetar bashkie dhe fushata që ata do të bëjnë, por gjithsesi domethënëse mbetet edhe vota që kanë vetë subjektet politike dhe koalicionet që ato do të krijojnë. Kështu, ndërsa kandidatët janë ende në fazë testimi nga të dyja kampet politike, natyrshëm ajo që mund të na japë një projeksion të përafërt për zgjedhjet e ardhshme janë rezultatet e zgjedhjeve të shkuara vendore, ku dhe karakteristikat janë të ngjashme. Për këtë kemi marrë në analizë votën që kanë marrë kandidatët për kryetar bashkie dhe votat që kanë marrë vetë partitë politike në garën për këshillat bashkiakë për 11 bashkitë e mëdha qendër qarku. Në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 2015, nga 11 prej tyre opozita me konfigurimin e ri të koalicioneve arrin të sigurojë avantazh në 9 bashki, ndërsa e majta arrin të ruajë dominancën e saj në vetëm 2 prej tyre. Natyrisht që ky rezultat merr të mirëqenë faktin se LSI dhe PDIU do t’i tërheqin votat e tyre në bllok në koalicionin opozitar ku tashmë janë pjesë.

Rezultatet
Kalimi i LSI-së dhe PDIU-së në koalicionin e djathtë në bazë të rezultateve të zgjedhjeve vendore të 2015-s jep efekt direkt edhe në bashkinë më të madhe në vend, atë të Tiranës. Kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në zgjedhjet e shkuara ka marrë 160000 vota dhe nëse këtyre votave do t’u heqim votat që arritën të marrin LSI-ja dhe PDIU-ja në garën për këshillin bashkiak, atëherë rezultati do të ndryshonte. Më konkretisht LSI-ja ka marrë në zgjedhjet e shkuara në Tiranë 54 mijë vota, ndërsa PDIU-ja 12 mijë, pra të dyja së bashku kanë 66 mijë vota. Dhe nëse 160 mijë votave që ka marrë Veliaj si kandidat i heqim 66 mijë votat që kanë marrë këto dy forca, atëherë diferenca mbetet vetëm 94 mijë vota. Jo vetëm kaq, por, nga ana tjetër, nëse votat që kanë marrë këto dy forca ia kalojmë qoftë kandidatit të atëhershëm të opozitës ashtu edhe vetë votës për këshillin bashkiak që mori opozita atëherë, peshorja do të ndryshonte kah. Një situatë e ngjashme paraqitet edhe në Durrës ku votat e LSI-së dhe PDIU-së ndryshojnë raportin e votave si për kandidat ashtu edhe për këshillin bashkiak. Kryetari aktual i Bashkisë së Durrësit ka marrë 56 mijë vota dhe nëse këtyre do i heqim rreth 26 mijë vota që ka marrë LSI-ja dhe PDIU-ja, atëherë ai do të mbetej vetëm me 30 mijë vota, pra më pak se rivalja e tij në ato zgjedhje. Ndikimi në rezultat bëhet edhe më i madh nëse votat e LSI-së dhe PDIU-së ia shtojmë votave politike që ka marrë opozita në këshillin bashkiak ku raporti ndryshon ndjeshëm. PS do të humbiste edhe Bashkinë e Elbasanit, nëse marrim të mirëqenë llogarinë e ftohtë të votave të zgjedhjeve të shkuara. Kështu, kryetari aktual Qazim Sejdini do të humbiste nëse votave që ai ka marrë si kandidat do t’u heqim votat që kanë marrë LSI-ja dhe PDIU-ja si subjekte në garën për këshill. Ai ka marrë 44 mijë vota dhe nëse do të hiqnim prej tyre 19 mijë votat që ka marrë LSI-ja dhe PDIU-ja për këshill, atëherë, Sejdini do të mbetej me vetëm 25 mijë vota, pra më pak se sa mori rivali i tij në ato zgjedhje. Edhe në rastin e Elbasanit raporti në votën për këshillin do të ndryshonte thellësisht në favor të opozitës. Rezultati do të ndryshonte në favor të opozitës edhe në Bashkinë Berat, Gjirokastër dhe Fier. Gjithashtu, me këtë konfigurim të ri të koalicioneve, opozita e bashkuar do të siguronte sërish fitoren në bashkitë që drejton edhe aktualisht si Lezhë, Kukës dhe Shkodër, ku do të thellonte edhe më tej avantazhin e vet.

Socialistët
Në bazë të këtyre llogarive socialistët do të ruanin fitoren e tyre vetëm në dy nga 11 bashkitë e mëdha dhe më konkretisht në Korçë dhe Vlorë. Kjo të paktën në garën për Këshillin Bashkiak. Kështu në Korçë pavarësisht kalimit të LSI-së dhe PDIU-së në koalicionin opozitar, të djathtët do të ishin sërish në minorancë në garën për këshill, ndërsa kemi një garë të fortë në atë për kandidat për kryetar bashkie. E njëjta panoramë na shfaqet edhe në Vlorë, ku të majtët arrijnë të ruajnë shumicën sërish pavarësisht kalimit të LSI-së dhe PDIU-së në kampin e djathtë. Ndërkohë që ky kalim nuk do të ndikonte në garën për kryetar bashkie, ku Dritan Leli arrin të ruajë avantazhin.

Votat për Këshillin Bashkiak

Bashkia Tiranë
PS 124000 vota
PD 89000 vota
LSI 54000 vota
PDIU 12000 vota
(PD+LSI+PDIU 155000 vota)

Bashkia Vlorë
PS27829 vota
PD14214 vota
LSI 5431 vota
PDIU 2293 vota
(PD+LSI+PDIU 21936 vota)

Bashkia Shkodër
PS 17393 vota
PD 34416 vota
LSI 11790 vota
PDIU 280 vota
(PD+LSI+PDIU 155000 vota)

Bashkia Durrës
PS 38765 vota
PD31152 vota
LSI 13170 vota
PDIU 4313 vota
(PD+LSI+PDIU 57907 vota)

Bashkia Elbasan
PS 29030 vota
PD 22350 vota
LSI 13170 vota
PDIU 5800 vota
(PD+LSI+PDIU 41320 vota)

Bashkia Fier
PS 31062 vota
PD18760 vota

LSI 13733 vota

PDIU 2648 vota
(PD+LSI+PDIU 35141 vota)

Bashkia
Gjirokastër
PS 8928 vota
PD 6841 vota
LSI4234 vota
PDIU 484 vota
(PD+LSI+PDIU 11559 vota)

Bashkia Korçë
PS 21524 vota
PD 19401 vota
LSI 6840 vota
PDIU 62 vota
(PD+LSI+PDIU 19401 vota)

Bashkia
Kukës
PS 10442 vota
PD9888 vota
LSI 1272 vota
PDIU 1390 vota
(PD+LSI+PDIU 12550 vota)

Bashkia Lezhë
PS 15259 vota
PD16602 vota
LSI 3175 vota
PDIU 1347 vota
(PD+LSI+PDIU 21124 vota)

Koalicioni opozitar
me votat zgjedhjeve
lokale 2015
PD 507 mijë vota
LSI 259 mijë vota
PDIU 59 mijë vota
Në total 825 mijë vota

Koalicioni i
mazhorancës
PS 673 mijë vota

Votat e 2017, PS mbetet shumicë edhe pas largimit të LSI dhe PDIU

Ndryshe nga zgjedhjet vendore të 2015, rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 2017-s i jep mundësi socialistëve të jenë shumicë në vota pavarësisht largimit nga koalicioni i tyre i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet. Mbi bazën e shifrave zyrtare të KQZ-së rezulton se pavarësisht se PDIU-ja dhe LSI-ja kanë kaluar në kampin opozitar, PS-ja e vetme është para me vota. PS-ja ka marrë në zgjedhje 764.750 vota në këto zgjedhje ku nuk pati koalicione dhe ku të gjitha partitë politike garuan si subjekte më vete. PD-ja rezultoi me vetëm 456.413 vota, ndërsa dy partitë tashmë në koalicionin e djathtë rezultuan, LSI-ja me 225.901 vota dhe PDIU-ja me 76.069 vota. Ndaj nëse mbledhim votat e PD-së, LSI-së dhe PDIU-së tashmë në një koalicion, në total ato kanë 758.383 vota. Pra, rreth 6 mijë vota më shumë se sa ka Partia Socialiste e vetme. Pra, nëse këto rezultate do të kishin vlerë për të llogaritur fituesin e zgjedhjeve lokale të ardhshme, atëherë në bazë të zgjedhjeve parlamentare të 2017-s, PS-ja do të arrinte të fitonte e vetme përballë gjithë koalicionit opozitar. Partitë po ndezin motorët për betejën e ardhshme elektorale, natyrisht votat e paraqitura ndryshojnë edhe për shkak të natyrës së votimit, pasi ndryshe janë zgjedhjet për kreun e bashkisë nga ato të përgjithshme, sa i përket peshës elektorale. Ndërsa duhet marrë në konsideratë edhe fakti i konsumimit të pushtetit në rang lokal e qendror, duke llogaritur edhe faktin nëse do të rikandidojnë sërish kryebashkiakët aktualë ose jo, si në Tiranë, Durrës, Elbasan, Lushnjë, të cilët kanë një apo më shumë mandate.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi