Erion Veliaj ka reaguar këtë të premte, 7 nëntor, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i dha atij të drejtë, duke e lënë në krye të Bashkisë së Tiranës. Në një postim në rrjetet sociale, Veliaj thotë se drejtësia kushtetuese foli dhe se ky nuk ishte një vendim për t’i kthyer atij mandatin, por për t’ua kthyer atyre që u përket, popullit të Tiranës.
“Të dashur miq, për shkak të kushteve ku ndodhem, vetëm tani munda të çoj këtë pusullë-postim me avokatët. Drejtësia kushtetuese foli. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ishte një vendim për të më kthyer mandatin mua, por për t’ua kthyer atyre që u përket, popullit të Tiranës. Ky nuk është një vendim për një njeri, por për demokracinë shqiptare, për votën e lirë dhe për çdo qytetar që beson se pushteti buron nga populli dhe i përket atij. Gjykata Kushtetuese rivendosi jo thjesht një mandat, por dinjitetin e ligjit dhe besimin se shteti ka ende busull. E drejta mund të vonojë, por nuk harron”, shkruan Veliaj.
Duke falenderuar qytetarët, ai shprehet se do të bëjë çdo gjë që është në dorën e tij që puna në Tiranë të vijojë.
“Faleminderit çdo qytetari të Tiranës që besoi, që priti dhe që nuk u dorëzua. Unë do të bëj çdo gjë që është në dorën time, që puna të vijojë, dhe do të kërkoj pa u ndalur që të mos pengohem në ushtrimin e mandatit që më keni besuar. Tirana nuk ndalet. Ju dua shumë!”, shprehet ai në reagimin e tij.
https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2FErionVeliaj%2Fposts%2Fpfbid0zE7vSgP69LaVANGDiQraPwKJ5XzUcxfkLvY4aq7DBmBh13ftHcZWxYovXKdaij4gl&show_text=true&width=500
Më 3 nëntor, Gjykata Kushtetuese vendosi t’i japë të drejtë Veliajt, duke e lënë atë në detyrë. Në një votim të ndarë 5 me 3, u rrëzua vendimi i Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij. Njëzëri, Gjykata Kushtetuese rrëzoi edhe dekretin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, për shpalljen e 9 nëntorit si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë.


