Vendimi/ 1.2 mln lekë më shumë për skemën e mbështetjes e bujqësisë, përfitojnë mbi 15 mijë fermerë

Në mbledhjen e qeverisë së ditës së sotme u miratua Vendimi për rritjen e financimit për bujqësinë me 1.2 miliardë lekë më shumë. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca tha se me këtë vendim, skema e mbështetjes ndaj bujqësisë shkon nga 3.7 miliardë lekë në 4.9 miliard lekë, niveli më i lartë i arritur ndonjëherë.

Paketa shtesë e ndihmës rrit ndjeshëm mbështetjen për fermerët në kushtet, ku bujqësia vijon të përballet me çmime të larta të naftës dhe kostove të prodhimit.

Me këtë vendim, Fondi i Skemës së Mbështetjes me naftë rritet nga 1.45 miliardë lekë në 1.95 miliard lekë, duke shtuar 500 milionë lekë në skemën e naftës.

Me këtë rritje të Fondit, këtë vit do të përfitojnë mbështetje me naftë përafërsisht 35 mijë fermerë, në kultura të ndryshme bujqësore, një numër rekord ky. Vjet nga skema përfituan 19 mijë fermerë.

Ministrja Krifca nënvizoi se në kushtet e ndryshimit të madh dhe dinamik të çmimit të grurit dhe vendosjes së ndalimit të eksportit të tij nga shumë vende, qeveria ka ndjekur me vëmendje në vijim situatën e prodhimit të grurit në vend dhe furnizimit të rregullt me grurë në javët dhe muajt që do të vijnë.

“Mund të raportoj që prodhimi i këtij viti i grurit në vend ka qenë në normat historike të tij duke arritur të prodhojmë në vend përafërsisht 225 mijë tonë grurë, apo gjysmën e sasisë që konsumojmë”, tha ajo.

Me vendimin e miratuar sot, Qeveria Shqiptare ka vendosur për herë të parë një fond prej 500 milionë lekë që synon rritjen e sasisë së grurit të prodhuar në vend. Përmes kësaj mase, kultivuesit e grurit me sipërfaqe mbi një HA, që janë edhe prodhuesit kryesor që dalin në treg, do të përfitojnë një mbështetje prej 30 000 mijë lekë per HA. Nga kjo skemë do të përfitojnë mbështetje rreth 7300 fermerë dhe përmes saj synojmë të rrisim sipërfaqen e kultivuar me grurë në vend me 17 mijë ha, duke synuar ta çojmë sipërfaqen e kultivuar me grurë për vitin që vjen në 70000 HA në total.

“Me këtë skemë mbështetje synojmë të dyfishojmë prodhimin e grurit në vend që prodhohet për tregtim nga 60 mijë tonë në 120 mijë tonë. Të treja këto masa të marra së bashku, mbështetja me naftë, skema e veçantë për rritjen e sipërfaqes së mbjellë me grurë dhe angazhimi për funksionimin e lirë të tregut të furnizimit me grurë në vendet e Ballkanit te Hapur forcojmë ndjeshëm rezistencën e vendit ndaj çdo goditje të zinxhirit furnizues me grurë si pasojë e luftës”.

Përveç rritjes së fondit për bujqësinë, Qeveria vendosi sot të rrisë gjithashtu ndihmën për sektorin e peshkimit, i cili gjithashtu është përballur me rritjen e madhe të çmimit të naftës dhe kostos së peshkimit.

“Sot miratuam një fond shtesë prej 200 milionë lekë për subvencionimin e naftës për peshkim. Nga ky fond do të përfitojnë me 40 lekë litër shtesë subvencion për naftën 203 anije peshkimi në vend. Kjo mbështetje ndikon në rreth 5 milion litra naftë që konsumohet nga anijet e peshkimit deri në fund të vitit.

Falë punës së madhe të fermerëve, bujqësia gjatë gjithë këtij viti ka treguar një qëndrueshmëri të lartë duke vijuar rritjen e eksporteve dhe prodhimit bujqësor në vend. Me fondin shtesë prej 1.2 miliardë lekë të miratuar sot, i vihet në krah me një ndihmë të rëndësishme shtesë edhe 15 mijë fermerëve të tjerë dhe gjithë sektorit të peshkimit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi