Veliaj inspekton zgjatimin e Lanës nga Materniteti i ri deri te rrethrrotullimi i Shkozës: Investimi rrit vlerën e pronës, vijon puna deri në Kashar

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet përgjatë bregut të Lumit Lana nga Materniteti i ri deri te rrethrrotullimi i Shkozës. Veliaj dtha se është finalizuar marrëveshja me Bankën Europiane të Investimeve, që zgjatimi i Lanës të vijojë nga Pallati me Shigjeta deri në Kashar.

“Kemi mbërritur me zgjatimin e Lanës deri në Shkozë, ndërkohë që më në fund kemi finalizuar marrëveshjen me Bankën Evropiane të Investimeve për zgjatimin tjetër nga Pallati me Shigjeta deri në Kashar, që Tirana të ketë realisht një aks kryesor buzë lumit i cili jo vetëm sjell hijeshi, por rrit në mënyrë të paimagjinueshme vlerën e pronës. Do të ketë akses për makinat, se janë korsi dhe bulevarde me 3 kalime në secilën anë. Do të ketë edhe një korsi të pandërprerë biçikletash, që për herë të parë dikush mund të vijë nga Shkoza deri tek “Pallati me Shigjeta” me biçikletë”, bëri me dije Veliaj.

Në vijim kryebashkiaku tha se ky investim i rrit vlerën pronave përgjatë gjithë Lanës, ndërsa njoftoi se Bashkia e Tiranës do të sjellë edhe një linjë transporti publik që do përshkojë Lanën nga fillimi deri në fund.

“Bashkia e Tiranës do të vendosë edhe transportin publik që të sigurohemi që i njëjti shërbim që është në pjesën e Tiranës së vjetër, të vazhdojë edhe në pjesën e Tiranës së re. Po lidhemi me një tjetër projekt, që është projekti i Unazës së Madhe, ku sapo është hapur mbikalimi në Farkë dhe praktikisht vetëm duke ndjekur këtë Bulevard përgjatë Lanës, lidhemi deri në Lundër me Unazën e Madhe. Është një ditë e mrekullueshme, sidomos për këtë zone, që duke filluar nga nesër ose pasnesër, kur të hapet në mënyrë finale qarkullimi, do të shohim dhe monitorojmë sesi do rritet vlera e pronës”, theksoi Veliaj.

Në segmentin përgjatë Lumit Lana nga Materniteti i Ri deri te rrethrrotullimi i Shkozës, është drejt përfundimit shtresa e asfaltit dhe shtresa e tapetit anash lumit. Po kryhet vijëzimi dhe sinjalistika e tabelave. Shumë shpejt gjithë aksi do ketë përfunduar dhe do jetë i aksesueshëm për të gjithë trafikun e makinave. Ky aks do të jetë vazhdim i Bulevardit “Bajram Curri” dhe “Zhan D’Ark”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi