Vangjush Dako del nga burgu, “arrest shtëpie” për ish-kryebashkiakun e Durrësit

Ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako do të lërë qelinë e burgut.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ndryshuar masën e sigurisë nga ‘arrest në burg’ në ‘arrest shtëpie’. Kjo për shkak se kanë kaluar afatet e paraburgimit.

Ish-kryebashkiaku akuzohet se ka shpërdoruar detyrën në dy raste, së pari në lidhje me projektin e vijës bregdetare dhe së dyti me lejimin e ndërtimit të një pallati në Durrës pa dokumentacionin e nevojshëm.

Dy javë më parë, gjyqtarja e hetimit paraprak i kërkoi Prokurorisë që deri në datën 27 Shkurt të plotësojë dosjen edhe me një akt ekspertimi në lidhje me projektin e vijës bregdetare, për të cilën Dako dhe disa ish-zyrtarë dyshohet të kenë shpërdoruar detyrën.

Prokuroria pretendon se ata kanë përllogaritur gabim fondin limit duke e shumëfishuar atë dhe pasi kanë rënë në dijeni të këtij fakti, nuk e kanë rregulluar gabimin.

Por për gjykatën, hetimi është i paplotë pa përcaktuar gjendjen aktuale të investimit dhe dëmin aktual.

Sot që ishte caktuar seanca, kjo e fundit u shty për në datë 18 Mars ora 13:00 për shkak të mungesës së akt-ekspertimit topografik që kishte kërkuar gjykata nga prokuroria.

Vangjush Dako u arrestua në Qershor të vitit 2023 me urdhër të SPAK.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi