Ulen temperaturat, ndotet ajri në Maqedoni

Me uljen e temperaturave dhe me fillimin e sezonit të ngrohjes qendrore, automatikisht është rritur niveli i ndotjes në vend.

Qyteti i Shkupit ka filluar të mbulohet nga një shtresë e bardhë e cila jep alarmin për ndotje.

Ndërkohë në shumë stacione matëse është vërejtur prani e lartë e grimcave Pm10 dhe kjo do vazhdojë të shtohet edhe më shumë gjatë dimrit.

Matjet e fundit tregojnë se Lagjja e Lisiçes është ndër më të ndoturat ku koncentrimi i grimcave PM10 arrin në 70.06 për metër kub nga 35 të lejuara. Lisiçja pasohet nga Komuna Qendër ku koncentrimi i grimcave Pm10 arrin në 59.5, më pas vijon Komuna e Karposhit me 58.

Si vende me ajër të ndotur rezultojnë edhe Buteli, Manastiri, Tetova, Gostivari, Strumica, Kavadari dhe Kumanova.

Sipas analizave të realizuara nga Qyteti i Shkupit, ngrohja me dru është ndotësi më i madh i ajrit dhe për këtë nga kompania propozuan që shteti dhe autoritetet e qytetit të subvencionojnë furnizimin e inverterëve.

Kreu i Qytetit të Shkupit Petre Shilegov në fillim të këtij viti paralajmëroi se në bashkëpunim me MPB-në dhe Ministrinë e ambientit jetësor do të kryejnë kontrolle të vazhdueshme ndaj firmave të mëdha prodhuese nëse të njëjtat kanë vendosur filtrat e duhur.

Ndryshe dimrin e kaluar gjatë ditëve kur ndotja e ajrit ishte alarmante Qeveria pati kumtuar një sërë masash urgjente si lirimi i të sëmurëve kronik dhe të moshuarve nga puna periudhën derisa do jetë ajri i ndotur, pastrimi i përditshëm i rrugëve, reduktimi i komunikacionit rrugor etj. Ndër masat që kohë më parë u paralajmëruan nga qyteti i Shkupit në rast të ndotjes enorme të ajrit janë edhe ndalimi i punimeve ndërtimore, fabrikat e mëdha të reduktojnë procesin e prodhimit deri në 50 %, vendosjen e filtrave nëpër vende të caktuara si dhe pastrimin e rrugëve.

Vitin e kaluar, Shkupi dhe Tetova disa herë ishin qytetet më të ndotura në botë. Një studim i Bankës Botërore tregon se si pasojë e ajrit të ndotur në Maqedoni, në vit vdesin rreth 1,300 njerëz, raporton Alsat./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi