Në Gjykatën Themelore të Prishtinës po mbahet shqyrtimi fillestar ndaj Faton Klinakut, i cili akuzohet për kanosje ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti. I pranishëm në gjykatore është edhe Kurti, në cilësinë e palës së dëmtuar.
Më 1 gusht, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi për ngritjen e aktakuzës ndaj Klinakut dhe të pandehurit tjetër, N.S.
Prokuroria ka thënë se ata dyshohet se më 2023 kishin publikuar në llogaritë e tyre në Facebook shkrime me përmbajtje kërcënuese ndaj Kurtit.
Pas publikimit të lajmit për aktakuzën, Klinaku, nga Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkroi në Facebook se “mezi pret” që të ballafaqohet me Kurtin në gjykatë.
Prokuroria Speciale e Kosovës tha se më 30 gusht të vitit 2023, Klinaku, e kishte përsëritur një postim me përmbajtje kërcënuese ndaj Kurtit ku thuhej: “… Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras A.K. sesa t’ia lëshoj rrugën dhe të iki nga Kosova”.
Ndërkaq, N.S, sipas Prokurorisë Speciale, e ka kanosur me vrasje Kurtin përmes postimeve të bëra në Facebook, për shkak të funksionit të tij si kryeministër, duke iu referuar postimit kërcënues të Klinakut.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, kushdo që synon që përmes dhunës apo kanosjes të pengojë përfaqësuesit e lartë të Kosovës të kryejnë detyrat e tyre mund të dënohet nga 3 deri në 10 vjet burgim.