Tusk: Marrëveshja për Brexit-in është e panegociueshme

Pavarësisht kërkesave që vijnë nga Britania e Madhe për ridiskutim të marrëveshjes Brexit, marrëveshja e arritur mes kryeministres britanike, Theresa May dhe Bashkimit Europian për daljen e Britanisë nga Unioni nuk është e hapur për rinegocim, deklaroi të martën presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk.

“Marrëveshja për tërheqje është, dhe mbetet mënyra vetme që siguron tërheqjen e rëndomtë të Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian”, tha Tusk në një deklaratë të cilën e transmetoi zëdhënësi i tij, Preben Aamann.

“Backstop-i është pjesë e marrëveshjes dhe marrëveshja nuk është e hapur për rinegocim”, shtoi ai, duke iu referuar çështjes e cila synon të shmang një kufi fizik të kufirit irlandez.

Të martën vonë, Parlamenti i Britanisë autorizoi kryeministren May për të negociuar një marrëveshje alternative me Bashkimin Europian, përmes së cilës do të evitohej vendosja e një kufiri fizik.

Tusk tha se BE mirëpret ambicien e Parlamentit për të shmangur një “skenar jo-marrëveshje”.

“Vazhdojmë t’i bëjmë thirrje qeverisë së Britanisë së Madhe të qartësojë qëllimet e veta, por sa më shpejtë të jetë e mundur”, tha ai.

Megjithatë, Tusk la të hapur mundësinë për zgjerim të nenit 50 nga marrëveshja për largimin e Britanisë së Madhe nga Unioni.

Ai shtoi se BE-ja vazhdon përgatitjet për të gjithë skenarët e mundshëm, përfshirë skenarin “pa marrëveshje”.

Ndryshe, deputetët britanikë miratuan të martën amendamentet me të cilët kanë refuzuar mundësinë që Britania e Madhe të largohet nga Bashkimi Europian pa një marrëveshje të arritur.

Përveç kësaj, me 317 vota për dhe 301 kundër, deputetët miratuan edhe amendamentin i cili kërkon një alternativë për mekanizmin mbrojtës të Irlandës, i njohur si backstop.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi