Turqia dërgon anijen “Yavuz” për eksplorimin e naftës në Mesdhe

Turqia ka dërguar anijen e dytë të shpimit në Detin Mesdhe e cila në fillim të muajit korrik do të fillojë eksplorimet e hidrokarbureve jashtë brigjeve të ishullit të Qipros.

Ministri turk i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Fatih Dönmez, gjatë ceremonisë zyrtare tha se anija e shpimit “Yavuz” do të arrijë një thellësi të shpimit prej 3.300 metrash në rajonin Karpaz-1 që ndodhet në Gjirin Gazimağusa të Qipros Veriore, ndërsa operacionet e saj do t’i përfundojë për tre muaj.

Turqia tashmë ka anijen e shpimit “Fatih” që punon në rajon, e cila operon në ujërat në perëndim të ishullit të Qipros, ndërsa anija Yavuz do të operojë në lindje.

Dönmez tha se administrata e Qipros Greke nuk ka të drejtë të marrë vendime vetvetiu ose madje edhe të ketë fjalën në ndonjë çështje në lidhje me të gjithë ishullin.

Turqia ka kundërshtuar vazhdimisht shpimet e njëanshme të administratës së Qipros Greke në Mesdheun Lindor, duke theksuar se edhe Qiproja Turke ka të drejtë për burime në këtë zonë dhe se Ankaraja poashtu ka të drejtën e eksplorimit të hidrokarbureve.

Anija turke “Fatih” nisi operacionet e shpimit në det të hapur më 3 maj të këtij viti në një zonë prej 75 kilometrash në brigjet perëndimore të ishullit të Qipros. Zona bie tërësisht në kuadër të ndarjes kontinentale turke të regjistruar në OKB dhe nën licencën e autorizuar që qeveria turke ia ndau Korporatës Turke të Naftës, kompanisë kombëtare të naftës.

Turqia synon që energjia të stimulojë një zgjidhje politike në ishull dhe paqe në pellgun e Mesdheut më të gjerë dhe jo një katalizator për tensione të mëtejshme.

“Ne po ashtu do të donim të paralajmërojmë disa aktorë jo-rajonalë që janë partner me administratën e Qipros Greke. Mos i ndiqni iluzionet që nuk kanë fund dhe nuk mund të arrijnë ndonjë rezultat. Mos u bëni pjesë e planeve të paligjshme. Ne ishim këtu dje. Sot, ne jemi këtu dhe nesër ne do të jemi këtu përsëri. Asnjë fuqi nuk mund ta ndryshojë këtë të vërtetë historike”, tha Dönmez.

Ministri turk tha se vendi i tij nuk pranon asnjë nga përpjekjet e aktorëve jo-rajonalë për të përcaktuar kufijtë e rajonit duke e vlerësuar veten si një gjykatë ndërkombëtare ose autoritet vendimmarrës.

“Ne do t’i mbrojmë plotësisht të drejtat legjitime të vendit tonë dhe TRNC-së (Qipros Turke) në Mesdhe. Ne do të vazhdojmë aktivitetet tona të shpimit, të cilat janë të rrënjosura në të drejtat tona legjitime. ‘Yavuz’ përsëri do t’i tregojë gjithë botës vendosmërinë e vendit”, theksoi Dönmez.

Ai shtoi se Turqia gjithmonë mbrojti ndarjen e pasurive të ishullit të Qipros dhe të Mesdheut në mënyrë të drejtë.

– Anija e shpimit “Yavuz”

Ndërtimi i anijes “Yavuz” përfundoi në vitin 2011. Kjo anije erdhi në Turqi nga Malajzia në muajin shkurt, ndërsa më parë ka punuar në vende të ndryshme si në Malajzi, Tanzani, Kenia dhe Filipine.

“Yavuz” ka një aftësi të plotë spektri për shpime në det të hapur, gjeneron energjinë elektrike nga gjeneruesit e karburanteve me kapacitet prej 42 megavat dhe ka një kapaitet prej 7.5 milionë litra karburant.

 

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi