Trump në mbrojtje të agjencisë së emigracionit

Presidenti Donald Trump i doli sot në mbrojtje agjencisë federale të emigracionit dhe akuzoi demokratët se kërkojnë shkrirjen e saj.

Ndërkohë, Departamenti amerikan i Drejtësisë ka interpretuar një vendim gjykate si autorizim për t’i mbajtur në paraburgim pa afat familjet e emigrantëve të paligjshëm që hyjnë në territorin amerikan.

Administrata Trump thotë se vendimi i marrë këtë javë nga një gjykatë amerikane në shtetin e Kalifornisë mund të rezultojë në mbajtjen afatgjatë në paraburgim të familjeve të emigrantëve, ndërsa do të ndiqen procedurat e emigracionit. Në realitet, vendimi i gjykatësit të distriktit të Kalifornisë kërkon bashkimin brenda 30 ditëve të familjeve të ndara në kufi.

Por, Departamenti i Drejtësisë e ka interpretuar vendimin si një autorizim për të mbajtur pa afat në paraburgim prindërit emigrantë së bashku me fëmijët e tyre të mitur. Ata tashmë rrezikojnë të mbahen në paraburgim për muaj të tërë, për shkak të mijëra rasteve të tjera që po shqyrton sistemi i mbingarkuar i gjykatave amerikane.

Gjatë administratës së mëparshme amerikane, familjet me fëmijë shpesh liroheshin ndërsa zhvilloheshin procedurat e mëtejshme ligjore të shqyrtimit të rastit të tyre.

Sot, Presidenti Trump i doli sërish në mbrojtje Agjencisë së Zbatimit të Ligjit për Emigracionin dhe Kufirin (ICE). Ai shkruajti në Twitter se demokratët po ndërmarrin një iniciativë për shkrirjen e kësaj agjensie federale dhe premtoi se kjo nuk do të ndodhë. Presidenti thotë se agjencia ICE se ka pastruar qytete të tëra amerikane nga banda të rrezikshme si MS-13.

Pamjet e fëmijëve që mbahen nga autoritetet federale në objekte të rrethuara me tela, kanë tronditur shumë amerikanë. Megjithatë, edhe vetë emigrantët e ligjshëm të ardhur rishtazi në SHBA, kanë pikëpamje të ndryshme.

“Ne paguajmë taksa, ndërkohë që vijnë të tjerë të paligjshëm në vend. Ata punojnë me para në dorë dhe të ardhurat i nxjerrin jashtë vendit, ndërkohë që përfitojnë nga ky vend. Nuk mendoj se është e drejtë për shtetasit amerikanë”, thotë Todd Khodadadi, i ardhur në SHBA si refugjat nga Irani.

Të tjerë thonë që duhet ofruar gjithnjë mundësia për njerëzit që kërkojnë azil në SHBA.

“Duhet trajtim i barabartë dhe t’u jepet gjithnjë shansi për të qëndruar në SHBA”, thotë Hak Son, emigrant korean.

Sipas shifrave zyrtare, rreth 2 mijë fëmijë janë momentalisht ende në pritje për t’u ribashkuar me prindërit e tyre emigrantë./VOA

Top Channel

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi