Presidenti amerikan Donald Tramp dhe kundërshtari politik, Xho Bajden, presin të martën verdiktin popullor se cili prej tyre duhet të udhëheqë vendin për katër vitet e ardhshme.
Demokratët e ish-zv.presidentit Bajden parashikohet të fitojnë votën plebishitare dhe të rimarrin kontrollin e plotë të Kongresit, si Senatin, edhe Dhomën e Përfaqësuesve.
5 votat e para, Bajdeni i mori në një qytezë të Nju-Hempshërit në kufi me Kanadanë gjatë kur edhe u hapën qendrat e votimit përpara çdo shteti tjetër.
Amerikanët e tjerë do i drejtohen kutive deri në orën 3 të ditës së mërkurë me kohën shqiptare.
Por fituesi i këtyre zgjedhjeve mund të shpallet jo më brenda ditës për shkak se dhjetëra milionë fletëvotime të dërguara me postë nuk janë administruar ende nga autoritetet.
Këtë fakt presidenti 74-vjeçar, Tramp, e kritikoi prej muajsh si strategji për manipulimin e rezultatit në shtetet që qeverisen nga opozita demokrate.
Kreu i shtetit u tha të hënën simpatizantëve të tij në Miçigan se ai do i surprizojë të gjithë me një fitore edhe më të thellë sesa ajo ndaj Hilari Klintonit në vitin 2016.
Tramp tha se vendin e pret një e ardhme e ndritur në aspektin ekonomik nëse ai rizgjidhet ndërsa për rivalin demokrat tha se nuk e ka më kapacitetin intelektual e as fizik për ta drejtuar një vend.
77-vjeçari Bajden, ndërkohë, i shmangu sulmet personale duke i përqendruar akuzat te situata e rëndë me pandeminë që po u kushton jetën mbi 1 mijë amerikanëve çdo ditë.
Politikani i karrierës për 5 dekada tha gjatë një tubimi në shtetin e Pensilvanisë se këto zgjedhje janë betejë për thelbin e Amerikës dhe ai do luftojë kundër kaosit social, përçarjes dhe urrejtjes që sipas tij ka kultivuar presidenti Tramp.
Sondazhet e opinionit publik e nxjerrin Bajdenin përpara Trampit në nivel kombëtar me së paku 8 për qind avantazh, por demokrati e ngushton epërsinë në disa shtete që potencialisht i japin kreut aktual të shtetit votat e nevojshme për të fituar Kolegjin Zgjedhor, i cili edhe përcakton fituesin.
Kolegji numëron 538 anëtarë dhe çdo kandidat për president duhet të fitojë shumicën absolute prej të paktën 270 votave për të fituar Shtëpinë e Bardhë.