Tillerson jep mbështetje për Trumpin

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, ka publikuar një shkrim ku i mbron përpjekjet diplomatike të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, ku shprehet se “pavarësisht vështirësive të shumta” qeveria e tij ka bërë punë të rëndësishme.

Tillerson për të cilin për një kohë të gjatë pretendohej se po përjeton probleme me presidentin Trump, në një shkrim për gazetën “New York Times” mbrojti punën e bërë nga qeveria amerikane.

Duke vënë në dukje se qeveria amerikane gjatë vitit të fundit ka bërë punë në rajone të ndryshme, Tillerson ka theksuar se “Gjatë vitit të fundit SHBA-ja u ballafaqua me probleme shumë të mëdha kundër Koresë së Veriut, Kinës, Rusisë dhe terrorizmit ndërkombëtar”.

Kreu i diplomacisë amerikane, duke folur edhe për Departamentin Amerikan të Shtetit, është shprehur se “Përkundër vështirësive, populli i SHBA-ve duhet të gjejë guxim nga puna e bërë e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe të Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-ve (USAID) për ofrimin e paqes dhe të stabilitetit ndërkombëtar”.

Sanksionet ndaj Koresë së Veriut dhe lufta kundër DEASH-it

Ndërkaq sanksionet kundër Koresë së Veriut, Tillerson i cilësoi si “sukseset diplomatike” të presidentit Trump. “Presionet tona paqësore kanë ndalur 90 për qind të eksportit të Koresë së Veriut. Kurse një pjesë e madhe e kësaj norme ishte një buxhet që përdorej për zhvillimin e armëve ilegale”, tha ai.

“Shpresojmë se izolimi ndërkombëtar do të jetë një arsye e rëndësishme që regjimi (i Koresë së Veriut) t’i lë punimet bërthamore. Dyert e dialogut janë të hapura, por regjimi duhet të tregojë përpjekje për t’u ulur në tryezën e dialogut. Ne do t’i vazhdojmë presionet deri sa të përfundojnë angazhimet bërthamore”, shtoi Tillerson. Duke folur edhe për punën e qeverisë në luftën kundër organizatës terroriste DEASH, Tillerson është shprehur se qeveria e Trumpit është në një luftë të “ashpër” kundër DEASH-it.

Kryediplomati amerikan shtoi se në luftën kundër DEASH-it kjo organizatë terroriste ka humbur tokë në Irak dhe Siri. Mediat amerikane kishin pretenduar se Trump dhe Tillerson po ndjekin politika të ndryshme në aspektin diplomatik dhe se Trump do t’i japë fund detyrës së Tillersonit. Ndërkaq Trump dhe Tillerson kishin mohuar këto pretendime./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi