“Thaçi nuk duhet ta udhëheqë dialogun Kosovë-Serbi”

Zyrtari i Nismës Social Demokrate, Resul Sinani, ka shprehur qëndrimin e tij kundër presidentit Hashim Thaçit si negociator i bisedimeve Kosovë- Serbi.

Sinani theksoi se prania e presidentit në këto bisedime do ta rrezikonte të ardhmen e vendit.

Ja postimi i plotë i Sinanit:

“Ekip GJITHPËRFSHIRËS, jo me një udhëheqës, e aq më tepër JO me udhëheqës Hashim Thaçin

Në bisedimet e ashtuquajtura PËRFUNDIMTARE, e nga të cilat do të derivojë një MARRËVESHJE PËRFUNDIMTARE, e obligueshme JURIDIKISHT për Kosovën dhe Serbinë, Kosova, respektivisht spektri politik kosovar nuk guxon të shkojë i përçarë, por vetëm si një EKIP GJITHPËRFSHIRËS. Kur e them këtë, pjesë e tij duhet të jenë udhëheqësit e tre institucioneve kryesore shtetërore dhe të gjithë liderët e partive politike parlamentare (të pozitës dhe të opozitës), e natyrisht të mbështetur edhe nga ekspertë të shumë fushave. Ky ekip gjithëpërfshirës natyrshëm do të duhej të vinte pas klimës së përafrimit të skenës politike të krijuar pas votimit të demarkacionit me MZ. Një ekipi të tillë, nuk i duhet fare një udhëheqës i mandatuar,e aq më pak ai të jetë Presidenti Hashim Thaçi, por i duhet mandati i Kuvendit të Kosovës, komplet si ekip, e jo si individ. Madje përmes një rezolute të Kuvendit të Kosovës, këtij ekipi do të duhej t’i lejohej nënshkrimi i MARRËVESHJES vetëm pasi të marrin miratimin e Kuvendit, e jo të nënshkruhej diçka e cila nuk do të kishte konsensusin politik, ashtu siç na ka ndodhur me rastin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi. Shkuarja e Kosovës në këto bisedime pa këtë KONSENSUS paraprak, që do të legjitimohej edhe nga Kuvendi i Kosovës, rrezikon seriozisht të ardhmen e vendit dhe rrezikon mbrojtjen më të mirë të interesave të vendit gjatë bisedimeve. Tendenca e Presidentit Hashim Thaçi, për t’u mandatuar si udhëheqës i ekipit të Kosovës, e pamundëson pikërisht këtë lloj konsensusi, e pamundëson pikërisht krijimin e këtij ekipi gjithëpërfshirës shtetëror të spektrit politik, e kjo do të shpinte vendin drejt rreziqeve të paparashikuara”, ka shkruar Sinani në Facebook./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi