Thaçi: Mandati i EULEX-it do të përfundojë vitin e ardhshëm

Presidenti Thaçi ka thënë se zhvillimi dhe rritja ekonomike, punësimi, edukimi dhe shëndetësia janë disa nga çështjet që duhet adresuar në mënyrë urgjente. Ai ka thënë se zhvillimi i prodhimtarisë bujqësore, rritja e kapacitetit të prodhimit të energjisë elektrike, investimet e huaja strategjike, janë çelësat e rritjes ekonomike.

“Po ashtu, është bërë punë e madhe në përmirësimin e infrastrukturës arsimore, në sigurimin e kushteve më adekuate të mësimdhënësve, duke përfshirë rritjen e pagave. Përkundër kësaj, ne duhet të rifokusojmë përpjekjet tona në përmirësimin e mëtutjeshëm të cilësisë së arsimit, në mënyrë që të përmbushim nevojat e tregut të punës. Në të njëjtën kohë, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të vazhdojë të mbetet prioritet ynë. Imazhi i keq për Kosovën, në masë të madhe është rezultat i perceptimit për shkallën e lartë të korrupsionit. Prandaj, kjo situatë duhet të ndryshojë njëherë e përgjithmonë. Se sa do të jemi të suksesshëm në çdo fushë, varet nga cilësia e sundimit të ligjit. Nuk ka fushë që është përfolur, analizuar, diskutuar dhe investuar më shumë se sa fusha e sundimit i ligjit. Prandaj nuk ka dyshim për rëndësinë e këtij sektori. Qasjet dhe modelet speciale, shpeshherë eksperimentale, e rrallë të përdorura gjetiu, gati janë bërë normë në Kosovë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se me qindra miliona euro të taksapaguesve evropianë janë shpenzuar dhe vazhdojnë të shpenzohen për mbarëvajtjen e misionit të EULEX-it.

“Si është e mundur që me gjithë këtë përfshirje, të pashembullt, përgjegjësia të jetë vetëm në anën kosovare. E theksoj qartë se qëllimi ynë shtetëror është anëtarësimi në BE, dhe jo që në Kosovë të ketë misione të përjetshme të saj. Besoj ka ardhur koha që disa nga institucionet tona duhet të tregojnë më shumë përgjegjësi dhe vetëbesim. Mungesa e dijës dhe e guximit për të kryer detyrën me nder, nuk mund të justifikohet. Prandaj mesazhi im i qartë për të gjithë zyrtarët që e duan punën e tyre dhe shtetin tonë është: Zbatojeni ligjin plotësisht dhe pa dallim, sepse kështu nuk do t’i japim askujt pretekst për të pretenduar vazhdimin e misioneve në pafundësi. Në verën e vitit të ardhshëm, ne do të shohim përfundimin e plotë të mandatit aktual të misionit EULEX. Nëse deri tani kemi folur për tranzicion, për tkurrje, ne tani duhet të flasim menjëherë për fazën përmbyllëse. Ne jemi krenarë që jemi pjesë e qytetërimit të civilizuar evropian dhe jemi të përkushtuar t’i mbrojmë vlerat perëndimore, që i kemi trashëguar nga të parët tanë”, ka thënë ai, transmeton Indeksonline.

Kreu i shtetit ka thënë se nuk ka gjë më të shenjtë, se sa ta ruajmë tolerancën fetare dhe nderetnike.

Prandaj, ai ka thënë se jemi dhe do të mbesim kampion në luftën kundër ekstremizmit, fundamentalizmit dhe çfarë do forme të terrorizimit.

“Kosova njësoj sikur pjesa dërmuese e shteteve perëndimore, është prekur nga elementet fundamentalistë dhe terroristë. Mirëpo institucionet tona të sigurisë, me sukses janë ballafaquar me këtë kërcenim të rrezikshëm. Kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Do të jemi të pa kompromis kundër atyre që synojnë që me dhunë të na e ndryshojnë kulturën, traditën dhe mënyrën tonë të jetesës. Ata shtetas të Kosovës të cilët kanë rënë në rrjetën e ideologjisë ekstremiste, fundamentaliste dhe terroriste, do të përballën pamëshirshëm me forcën e ligjit. Do t’u japim goditje të vazhdueshme atyre që rrezikojnë vlerat tona kombëtare dhe shtetërore”, ka thënë ai./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi