Të huajt e Cyrihut kërkojnë të drejtë vote konsultative

Shtetasit e huaj që jetojnë në qytetin e Cyrihut do të duhej të merrnin pjesë në jetën politike dhe shoqërore të vendit. Këtë e kërkon këshilli për të huaj i këtij qyteti.

Ai, si përfaqësues i të huajve në institucionet e Cyrihut, propozon që të huajt të kenë një të drejtë konsultative të votës dhe të zgjedhjes, transmeton albinfo.ch. Më konkretisht, sipas propozimit në fjalë, të gjithë atyre që jetojnë mbi pesë vite në Cyrih dhe nuk kanë pasaportë zvicerane, duhet t`u dërgohen dokumentet e nevojshme për votim dhe të kenë mundësi për të marrë pjesë në procesin e votimit. Por, votat e të huajve me këtë rast nuk do të ndikonin në rezultatet zyrtare të votave.

Edhe nëse votat nuk kanë efekt praktik, ato do të kishin një funksion të rëndësishëm, thotë Renska Heddema, zëdhënëse e Këshillit të të huajve. Sipas saj, nga kjo do të përfitonin edhe qytetarët e Cyrihut, pasi që rezultatet e votimit konsultativ, do të shprehnin qëndrimin dhe mendimin e bashkëqytetarëve të tyre pa pasaportë zvicerane.

Partia Liberale e Gjelbër është shprehur e entuziazmuar nga kjo ide. Pasi që qytetarët me të drejtë vote të Cyrihut para katër vitesh patën hedhur poshtë në mënyrë bindëse të drejtën e të huajve për të votuar dhe për të zgjedhur, ky është hapi i duhur në atë drejtim, sipas partisë në fjalë. Ndërkaq, SP dhe të Gjelbrit tregohen skeptikë rreth kësaj ideje, përcjell albinfo.ch. Sipas tyre, për të huajt do të jetë frustruese që të votojnë ndërkohë që vota e tyre nuk prodhon efekt. FDP është kundër idesë, pasi që sipas saj kjo e drejtë do të kushtonte shumë dhe nuk do të sillte asgjë. Ndërsa SVP e kritikon propozimin me pretekstin se këshilli i të huajve po provon të fusë të drejtën e votës për të huajt “përmes derës së prapme”.

Sidoqoftë, ideja është lancuar dhe fjalën tash e ka administrata. Ajo duhet fillimisht të sqarojë nëse vota konsultative fare mund të aplikohet ose jo. Pastaj vjen radha e politikanëve, të cilët duhet të vendosin nëse do ta pranojnë këtë propozim ose do ta kundërshtojnë./Albinfo.ch/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi