Në përfundim të kryesisë shqiptare të Kartës së Adriatikut (A-5), Shqipëria ka theksuar nevojën e një vëmendjeje të shtuar të NATO-s dhe Bashkimit Evropian për rajonin tonë, duke theksuar rëndësinë strategjike të tij.
Kështu u shpreh sot zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino gjatë një deklarate të përbashkët për shtyp me Josip Brkiću, zv.ministër i Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, vend i cili merr kryesinë e radhës.
Fino u ndal në fjalën e saj te prioritetet dhe arritjet e kryesisë shqiptare, ndërsa vlerësoi politikën e dyerve të hapura.
“E krijuar në vitin 2003, në 21 vite të ekzsitencës së saj ajo ka dëshmuar vlerën e veçantë si një forum me vlera për politikën rajonale mbi çështjet e sigurisë duke kontribuar në mënyrë domethënëse në përpjekjet për integrimin euroatlantik të vendeve të Europës Juglindore përgjatë dy dekadave”, tha Fino.
Fino theksoi se sot 3 nga 4 vende të Kartës janë vende aleate, ndërsa Bosnjë-Hercegovina është një vend aspirant për anëtarësim në NATO.
“Mirëpritëm edhe vendet vëzhguese të Kartës, Kosovën, Serbinë dhe Slloveninë, me statusin e të ftuarit, si një shembull i qartë i politikës së derës së hapur dhe gjithëpërfshirjes rajonale në këtë iniciativë”, tha ajo.
Fino theksoi se fokusi i kryesisë shqiptare gjatë këtij viti ka qenë rritja e koordinimit dhe bashkëpunimit mes vendeve anëtare dhe vëzhguese të A-5 për përballimin rajonal të kërcënimeve hibride, si një kërcënim shumëdimensional për rajonin tonë dhe përtej tij, veçanërisht në dritën e sulmeve kibernetike të viteve të fundit ndaj disa vendeve të Kartës.
“Takimi i sotëm shërbeu për të shkëmbyer mendime mbi perspektivat e rajonit tonë, në një kohë kur rajoni i Ballkanit Perëndimor po përballet me tensione të shtuara si dhe me pasoja të agresionit rus në Ukrainë. Diskutuam mbi mundësitë për të forcuar bashkëpunimin tonë në vijim kundër kërcënimeve hibride dhe veçanërisht atyre kibernetike në dritën e këtyre sulmeve që kanë prekur rajonin tonë vitet e fundit”, tha ajo.
Fino nënvizoi gjithashtu domosdoshmërinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal në dobi të sigurisë dhe dënoi ashpër sulmin terrorist të 30 nëntorit në veri të Kosovës, duke kërkuar që ky akt kriminal të hetohet dhe autorët të vihen para përgjegjësisë ligjore.
“I kërkuam kryesisë së ardhshme të Bosnjë dhe Hercegovinës që të angazhohet për anëtarësimin e Kosovës në A-5, gjatë presidencës së saj, si domosdoshmëri për sigurinë e gjithë rajonit”, tha Fino.