Tahiri premton një gjyqësor më efikas për bizneset vendore

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka kërkuar nga përfaqësuesit e bizneseve që të jenë aktivë në dhënien e komenteve në politikat e reja që po harton Ministria e Drejtësisë, pasi, sipas tij, këto ndryshime do t’i japin një dimension tjetër zhvillimit ekonomik në Kosovë.

Këto komente Tahiri i ka bërë në Prizren në takimin që u mbajt me bizneset e këtij rajoni, në kuadër të kampanjës “Drejtësia dhe biznesi”.

Me këtë rast, ministri i Drejtësisë tha se është i interesuar të dijë rreth problemeve që bizneset në Kosovë mund të hasin në fushën e drejtësisë, në mënyrë që të rritet efikasitet më i madh përmes reformave. Sipas tij, procesi i reformave është tejet i rëndësishëm, pasi që në këtë mënyrë do të mund të arrihet kthimi i besimit të qytetarëve dhe bizneseve tek gjyqësori. Tahiri tha se para se të marrin vendime do të diskutojnë ngushtë me komitetet e bizneseve dhe se për këtë do të shqyrtohet edhe mundësia e themelimit të një gjykate komerciale që do të merrej vetëm me çështje të bizneseve.

Ndërsa përfaqësuesi i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, tha se ka shumë ide të cilat janë paraqitur në Odën Ekonomike, ku ekziston një pajtueshmëri e përgjithshme se ndër problemet kryesore që e pengojnë afarizmin e shumë ndërmarrjeve dhe tërheqjen e investitorëve të huaj është sundimi i ligjit. Drejtori i KIESA-s, Besian Mustafa, e vlerësoi lart iniciativën e Ministrisë së Drejtësisë për siç tha ai, “kthimin e shikimit kah bizneset”. Teksa sa i përket sfidave kryesore që deri më tash bizneset kanë adresuar, Mustafa tha kanë të bëjnë me ATK-në, doganat dhe KEDS-in.

Refki Hoxha, kryetar i Këshillit Drejtues të Odës Ekonomike Regjionale, tha se problemi kryesor është te Zyra e Prokurimit.

Ndërsa ministri Tahiri tha se është këto janë shqetësime të bazuara dhe për këtë sqaroi se janë duke themeluar Zyrën e Kontrollit dhe duke punuar në rritjen e kapaciteteve të gjykatave për adresimin e çështjeve komerciale, bizneseve.

Nexhmedin Asllani, drejtor i Odës Rajonale të Prizrenit tha se komuniteti i biznesit ka vuajtur dhe po vuan për drejtësi të mirëfilltë. Sipas tij, kur një lëndë kryhet dhe shkon në shkallën e dytë, aty ndalet për 2-5 vjet, atëherë nuk ka kurrfarë efekti. Ndryshe, ministri Tahiri premtoi se bizneset do të jenë të informuara dhe do të konsultohen me kohë për çfarëdo vendimi që ka të bëjë me to./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi