Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot se nevojitet një skemë e plotë pensionesh, e cila merr parasysh rënien e popullsisë, rritjen e moshës mesatare, shpopullimin, emigracionin, si dhe rritjen e kostove.
Tabaku reagoi pasi Kryeministri Edi Rama bëri të ditur një ditë më parë se krahas indeksimit dhe bonusit, pensionistët do të përfitojnë edhe rritje të përmuajshme duke nisur nga 1 janari.
“Për të 13-tin vit radhazi premtoi pensione, kësaj radhe shkoi deri atje ku deklaroi që do të jetë viti i pensionistëve, që nuk ka qenë kurrë ndonjëherë dhe do të shikojmë se nuk do të jetë përsëri. Rritja e pensioneve me 1800 lekë në qytet e 600 lekë në fshat është pothuajse asgjë. Në një ditë janë 60 lekë në qytet dhe 20 lekë në fshat”, tha Tabaku.
Tabaku foli për rritje të kostove të jetesës, ku sipas saj, çmimet e produkteve të shportës janë rritur me 30-60%.
“A e shpëton kjo një pensionist? A jeton ai me dinjitet prej kësaj. Kjo është e pamundur, sepse pensionet janë sot lëmoshë e qeverisë, ndërkohë që ne kemi nevojë për një skemë të plotë pensionesh, që merr parasysh edhe rënien e popullsisë, rritjen e moshës mesatare, shpopullimin, emigracionin, rritjen e kostove, por nga ana tjetër kemi nevojë që këtë shtresë ta trajtojmë me dinjitet”


