Specialja ende pa ndonjë aktakuzë: si i janë përgjigjur deri më tani ish-krerë të UÇK-së frikës së arrestimit

Që nga themelimi i Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës në gusht të 2015-ës, është bërë shumë zhurmë se kush nga ish-drejtuesit e UÇK-së, tani zyrtarë të lartë të shtetit do të arrestohen nga kjo gjykatë.

Edhe pse kanë kaluar tre, vite ende nuk është ngritur asnjë aktakuzë dhe nuk dihet nëse këtë vit do bëhet një gjë të tillë.

Se nuk ka një informatë se kur do të ngritën aktakuzat e para, së fundmi ka deklaruar edhe presidenti Thaçi i cili në një emision televiziv tha se “krejt çka është thënë deri tash është spekulim dhe s’ka asgjë të vërtetë”.

Derisa të ketë një njoftim zyrtar nga Specialja për ngritjen e aktakuzave, pyetja që më së shpeshti u është shtruar ish-drejtuesve të UÇK-së nga mediat në intervistat e realizuara është: a frikësoheni nga Specialja?

Përmes këtij shkrimi mund të mësoni se kush nga ish-krerët e UÇK-së frikësohet e kush jo se do kapet nga kjo gjykatë.

Presidenti Thaçi ka deklaruar se frikën e ka mposhtur në luftë andaj s’ka arsye të frikësohet në paqe.

“S’kemi as çka të fshehim nga Gjykata. Nuk kemi edhe pse t’i frikësohemi kësaj gjykatë. Unë nuk kam asnjë frikë. Nuk jam frikësuar në luftë e nuk frikësohem as tash. Edhe në luftë kam shpëtuar edhe tash do të shpëtojë”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri Haradinaj e ka pranuar se një numër njerëzish shqetësohen nga Specialja, por jo ai personalisht.

“Ekziston një shqetësim në lidhje me Gjykatën tek një numër njerëzish këtu. Ata e konsiderojnë atë të padrejtë, si institucion të drejtësisë, që merret vetëm me raste të caktuara, dhe jo gjithçka çfarë ka ndodhur këtu në të kaluarën. Unë personalisht nuk kam frikë”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa kryekuvendari Kadri Veseli emri i të cilit më së paku është lakuar se mund të kapet nga Specialja ka thënë se askush s’ka pse të frikësohet.

“Askush nuk duhet të shastiset nga gëzimi për këtë gjykatë, por as t’i frikësohet. Lufta e UÇK-së ka qenë e pastër”, ka pohuar Veseli.

Frikë nuk ka as një prej drejtuesve të lartë të UÇK-së, Xhavit Haliti.

“E di se çfarë kam bërë, nuk i frikësohem gjykatës, as gjykatave atje e as këtu”, ka deklaruar Haliti.

Rexhep Selimi, poashtu një nga figurat më të mëdha të UÇK-së kohë më parë në një intervistë për tesheshi.com ka deklaruar se e keqja ka ndodhur me themelimin e Speciales.

“Ata që do duhej të ndihen të rrezikuar tashmë janë të rrezikuar, janë ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo çka nuk do duhej kurr të rrezikohej, është rrezikuar, misioni, ftyra dhe qëllimi i UÇK-së. E keqja ka ndodhur, pasi në Parlament është votuar një gjykatë Speciale e cila paragjykon UÇK-në, kurse fati i individëve është relativ sepse me apo pa këtë gjykatë, as nuk janë më shumë e as më pak të rrezikuar, as nuk kanë më shumë e as më pak imunitet ushtarët e UÇK-së. Andaj, ajo që nuk do duhej të ndoshte tashmë ka ndodhur”, ka thënë Selimi.

Shukri Buja ish-komandat i UÇK-së, ka deklaruar më parë në një intervistë për tesheshi.com se s’ka frikë nga Specialja.

“Gjykata Speciale shihet shumë qartë se është gjykatë politike, e njëanshme dhe e dëmshme për Kosovën, pavarësisht se është aprovuar në Kuvend.
Unë kam qenë i burgosur politik, dhe nuk frikësohem aspak, por çështja është dëmtimi i shtetit të Kosovës; pra nuk është në pyetje Shukri Buja por institucionet”, ka deklaruar Buja.

Edhe Daut Haradinajn, ish-ushtar i UÇK-së, nuk e tremb Specialja.

“Nuk i frikësohet meqë ka qenë ushtar i mirë dhe sipas traditës. Kam qenë prej ushtarëve më të zot në Kosovë dhe nuk më tremb gjykata”, ka deklaruar ai. /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi