Ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi, është paraqitur këtë të martë, më 9 dhjetor, pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Raportohet se Topi ndodhet në SPAK për të dëshmuar, pasi është thirrur si person në dijeni në lidhje me ngjarjen e 21 Janarit të vitit 2011.
Topi është thirrur për shkak të deklaratës që ka bërë në librin e tij autobiografik me titull “Nocturn” (Kur arsyeja errësohet nga pushteti), ku flet për një takim me ish-ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Lulzim Bashën, dhe një përpjekjeje nga ana e këtij të fundit për të ndërhyrë në hetime.
“Kemi arritur të konfirmojmë nëpërmjet burimeve që ish-presidenti Bamir Topi është thirrur dhe është paraqitur përsa i përket çështjes së 21 Janarit, duke qenë se në librin e tij autobiografik ka shkruar se ka patur një takim me ish-ministrin e Brendshëm të asaj kohe Lulzim Basha, i cili i kishte kërkuar që të ndërhynte në institucionet e drejtësisë, në mënyrëq që të bëhej lehtësimi i të gjithë gardistëve që u përfshinë në përplasje, që dyshohen se qëlluan në drejtim të protestuesve, ku humbën jetën katër persona.
Bamir Topi do të japë shpjegime në lidhje me këtë çështje, nëse ai ka informacione ose jo që mund t’i shërbejnë hetimit.
Sjellim ndërmend se më 21 janar 2011, në protestën e thirrur nga Partia Socialiste humbën jetën katër protestues në Bulevardin Dëshmorët e Kombit: Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, para Kryeministrisë.


