Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer operacion në disa qytete të vendit.
Janë firmosur disa urdhërarreste për krim të organizuar.
Sipas informacioneve paraprake, urdhërarrestet janë lëshuar pas deklarimeve të të penduarve të drejtësisë, si dhe bazuar në komunikimet në Sky Ecc.
Urdhërarrestet janë lëshuar për ngjarje të rënda kriminale që kanë tronditur Elbasanin ndër vite. Sipas të njëjtave burime, urdhërarreste janë lëshuar dhe për ish-zyrtarë të drejtësisë.
Masë sigurie “arrest shtëpie” është caktuar edhe ndaj ish-gjyqtares së Elbasanit, Pajtime Fetahu. Gjyqtarja dyshohet se ka falsifikuar një vendim gjyqësor.
Kujtojmë se në vitin 2021, ish-gjyqtarja e Elbasanit Pajtime Fetahu u ndëshkua me masë disiplinore nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Kërkesa për masën disiplinore ndaj magjistrates ishte bërë nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë për shkelje të etikës.
ILD gjatë hetimit administrativ konstatoi fakti që gjyqtarja, në shkelje të rregullave të punës së saj, ka duke komunikuar paraprakisht me palët, në proces për vendimarrjen.
Për lidhje me grupet kriminale në Elbasan është arrestuar edhe zv.drejtori i burgut, Bradashesh, Martin Musaj. Pasi ka rënë në pranga, Musaj është shkarkuar nga detyra e zv.drejtorit të burgut. Operacioni për ekzekutimin e masave të sigurisë po kryhet në Elbasan.
Akoma nuk ka njoftim zyrtar nga SPAK lidhur me operacionin, ndërsa informacione më shumë priten në vijim.


