Një nga zbulimet më intriguese të këtij viti ka ardhur nga mënyra se si një valë gjigante detare u pa, jo nga oqeani, por nga qielli.
Shkencëtarët e NASA-s dhe studiues në SHBA arritën të identifikonin një tsunami në kohë reale falë valëve që kjo lëvizje kolosale e ujit krijoi në shtresat e larta të atmosferës.
Në korrik të vitit 2025, një tërmet me magnitudë 8.8 goditi brigjet lindore të gadishullit rus Kamçatka, lëkundja më e fuqishme e regjistruar në pothuajse 15 vjet. Brenda pak minutash, vala u përhap në të gjithë Paqësorin me një shpejtësi prej mbi 400 milje në orë (rreth 640 km/h). Miliona njerëz në Japoni, SHBA dhe vende të tjera u urdhëruan të evakuoheshin, ndërsa pasiguria për pasojat rritej nga momenti në moment.
Por ndërsa vala përhapej nëpër oqean, ajo bëri diçka që kurrë më parë nuk ishte vërejtur drejtpërdrejt, krijoi dallgë në atmosferën e sipërme të Tokës, të cilat ndërhynë në sinjalet satelitore të navigimit global. Pikërisht ky “kaos” i krijuar në shtresën e jonosferës u bë çelësi që lejoi studiuesit të shihnin tsunamin ndërsa ndodhte.
Dhe gjithçka ndodhi, siç e përshkruan BBC, “krejt rastësisht”. Një ditë para tërmetit, NASA kishte përfshirë një komponent të inteligjencës artificiale në sistemin e saj të alarmit për fatkeqësi natyrore, të quajtur Guardian. Brenda 20 minutash pas tërmetit, sistemi identifikoi sinjale jonormale në atmosferë dhe njoftoi shkencëtarët se një tsunami po drejtohej drejt Havait, 30 deri në 40 minuta përpara se të mbërrinte.
Fatmirësisht, dëmet ishin të kufizuara. Valët arritën deri në 1.7 metra dhe shkaktuan vetëm përmbytje të lehta, por për studiuesit kjo ngjarje shënoi një pikë kthese. Për herë të parë, një tsunami u ndoq në kohë reale jo përmes sensorëve nën det, por përmes sinjaleve radio të satelitëve që kalojnë përmes atmosferës.
Jeffrey Anderson, shkencëtar në Qendrën Kombëtare për Kërkime Atmosferike në SHBA dhe një nga zhvilluesit e sistemit Guardian, pranon se fillimisht ideja i ishte dukur “pak e çmendur”. Por teknologjia që dikur dukej fantazi, sot është realitet.
Në fakt, koncepti i përdorimit të sinjaleve satelitore për zbulimin e tsunamive është diskutuar që në vitet 1970, por vetëm me avancimet e inteligjencës artificiale dhe të përpunimit të të dhënave në vitet 2020 u bë e mundur. Guardian funksionon duke matur devijimet që ndodhin në sinjalet GPS kur shtresat e jonosferës trazohen nga lëvizje të mëdha ujore apo shpërthime vullkanike.
Profesor Michael Hickey nga Universiteti Aeronautik “Embry-Riddle” në Florida shpjegon se një tsunami, edhe pse i padukshëm në sipërfaqe, zhvendos masa të mëdha uji që ndikojnë atmosferën dhjetëra milje mbi Tokë.
“Ndryshojnë temperaturat, reagimet jonike dalin jashtë kontrollit, është si një zinxhir i padukshëm që fillon nga deti dhe përfundon në hapësirë”, thotë ai.
Në vitet e fundit, studiuesit kanë mundur të “lexojnë” ndikimet e tërmeteve dhe shpërthimeve vullkanike në të dhënat e jonosferës. Pas tragjedisë së vitit 2011 në Japoni dhe shpërthimit në Tonga më 2022, janë vërejtur valë atmosferike që udhëtonin me shpejtësi rreth botës. Por asnjëherë më parë nuk ishte kapur një tsunami në kohë reale, deri në rastin e Kamçatkas.
Guardian, i zhvilluar nga NASA në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kërkimeve Atmosferike dhe laboratorët e saj në Kaliforni, përdor rrjetet e sinjaleve të navigimit global (GPS, Galileo, etj.) për të analizuar se çfarë po ndodh në atmosferë. Kështu, ai mund të dallojë edhe shpërthime bërthamore apo lëshime raketash, duke e bërë atë një mjet të fuqishëm për sigurinë ndërkombëtare.
“Minutat janë jetike për evakuimin gjatë një tsunami”, thekson Harold Tobin, sizmolog në Universitetin e Uashingtonit. “Nëse Guardian mund të japë paralajmërime të hershme, është një përparim i madh për sigurinë globale.”
Aktualisht, shumica e sistemeve të paralajmërimit mbështeten tek sizmometra dhe bojët oqeanike që matin lartësinë e valëve. Por këto nuk japin një pamje të menjëhershme e të plotë të asaj që ndodh. Duke përdorur jonosferën si një “pasqyrë” natyrore, Guardian mund të paralajmërojë shumë më herët, veçanërisht për valët që udhëtojnë mijëra kilometra, si ato që shkatërruan Azinë Juglindore në vitin 2004.
Në Europë, studiuesit po zhvillojnë një sistem të ngjashëm për monitorimin e rajoneve si Oqeani Indian. Ndërsa në SHBA, versionet e ardhshme të Guardian do të përfshijnë aftësi për të parashikuar madhësinë, drejtimin dhe ndikimin e valëve, duke ofruar parashikime automatike çdo 10 minuta.
Megjithatë, jo gjithçka është e përkryer. Siç shpjegon eksperti Diego Melgar nga Universiteti i Oregonit, jonosfera reagon me një vonesë prej disa minutash, që mund të jetë fatale për zonat shumë afër epiqendrës. Por për komunitetet më të largëta, kjo mund të jetë dallimi mes jetës dhe vdekjes.
“Kur valët kanë për të udhëtuar në distanca të mëdha”, thotë Hickey, “atëherë po, kjo teknologji do të shpëtojë jetë.”


