Shteti i Teksasit, nis Rojen Kombëtare në kufi

 

 

Shteti Amerikan i Teksasit po dislokon pjesëtarët e Rojës Kombëtare në kufirin me Meksikën, pas një apeli të presidentit Donald Trump. Një zëdhënës i Rojës Kombëtare tha se një personel prej 25 personash do të dërgohet të patrullojë në zonë brenda 72 orëve në vijim.

Edhe Arizona ndërkohë planifikon të dislokojë rreth 150 trupa javën e ardhshme. Presidenti Donald Trump ka thënë se do të dërgojë deri në 4 mijë pjesëtarë të Rojës Kombëtare për të siguruar kufirin me Meksikën deri sa muri i propozuar prej tij të ndërtohet. Shteteve të Nju Meksikos dhe Kalifornisë, u është kërkuar të bëjnë të njëjtën gjë si Teksasi dhe Arizona.

Një ditë më parë, presidenti amerikan nënvijëzoi planet për t’i dhënë fund praktikës të njohur si kap dhe lësho në kuadër të politikave të tij strikte mbi emigracionin. Trump kërkon që emigrantët e paligjshëm të mbahen në burg, ndërsa presin të mësojnë nëse do të deportohen dhe jo të lihen të lirë. Ai i ka kërkuar Departamentit Amerikan të Mbrojtjes një listë të detajuar të site-ve ushtarake që mund të kryejnë këtë funksion.

Në ditët e shkuara vetë Trump ka bërë një seri postimesh në Twitter, ku dënonte emigracionin e paligjshëm dhe akuzonte demokratët se po lejonin hapjen e kufijve, drogave dhe krimit. Ai tha se republikanët do të ecin drejt opsionit bërthamor, për të miratuar ligje të ashpra kundër emigrantëve të paligjshëm, menjëherë.

Trump ka kërcënuar po ashtu Meksikën, duke thënë se marrëveshja për tregtinë e lirë në Amerikën e Veriut, NAFTA, është në rrezik nëse ajo nuk ndalon fluksin e emigrantëve në kufi.

Top Channel

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi