Shqipëria mirëpret stërvitjen ushtarake “Albanian Lion 2018”

Në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë është organizuar Dita e Vizitorëve të Shquar në kuadër të stërvitjes shumëpalëshe “Albanian Lion 2018”, që po zhvillohet në Shqipëri, ku u demonstruan disa nga veprimet e kësaj stërvitjeje, si dhe u ekspozohen mjetet, pajisjet dhe armatimi i përdorur.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ambasadorë, si dhe krerët më të lartë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe trupave britanike.

Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, u shpreh gjatë ceremonisë se Shqipëria është e qartë për orientimin pro perëndimor, ndërsa shtoi se modernizimi i bazës ushtarake të Kuçovës është konfirmim i rolit dhe rëndësisë së Shqipërisë në NATO.

“Kjo stërvitje shërben jo vetëm për partnerët tanë. ‘Albanian Lion 2018’ vjen edhe si rritje e ndërveprimit me fqinjët dhe ne jemi të qartë për orientimin tonë pro perëndimor. Vendi ynë, pavarësisht përmasave mbetet me kontribute të rëndësishme në NATO. Pas 9 vitesh pjesë e NATO-s, Shqipëria po kontribuon. Modernizimi i bazës së Kuçovës është konfirmim i rolit dhe rëndësisë së vendit tonë duke marrë në konsideratë faktin, që është e vetmja bazë e NATO-s në Ballkanin Perëndimor. Kjo është rrjedhojë e seriozitetit. Nga nëntori i këtij vitit do të marrim kryesimin e qendrës për siguri dhe koordinim, në 2019 do të marrim kryesimin e Kartës së Adriatikut”, tha Xhaçka.

Më tej gjatë fjalës së saj, Xhaçka tha se Shqipëria pavarësisht përmasave apo resurseve të përkufizuara mbetet një vend me kontribute të qenësishme në NATO.

Në fjalën e tij në ceremoni, Gjeneral major Charlie Stickland, i pranishëm në Shqipëri me forcat britanike si komandant i forcave amfibe në stërvitjen e përbashkët “Albanian Lion 2018” tha se stërvitje është një mundësi që “Britania e Madhe të thellojë bashkëpunimin me Shqipërinë, marrëdhëniet me të si një aleat strategjik për ne”.

Në disa zona të vendit, Forcat e Armatosura të Shqipërisë, Britanisë, Kosovës dhe Kroacisë do të përdorin bazat ushtarake në stërvitjen më të madhe ndërkombëtare që zhvillohet në Shqipëri.

Rreth 1.200 trupa dhe dhjetëra mjete, tokësore, ajrore dhe detare do të angazhohen në stërvitjen “Albanian Lion 2018”, e cila do të zhvillohet deri më datë 30 shtator. Për herë të parë në këtë stërvitje, e cila zhvillohet çdo vit në Shqipëri, merr pjesë edhe një kontingjent nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, qëllimi i kësaj stërvitjeje është realizimi i operacioneve të evakuimit joluftarak nëpërmjet detit dhe ajrit, duke përfshirë anije luftarake zbarkuese, helikopterë dhe forca speciale për veprimtaritë në tokë./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi