Shqipëri, tryezë diskutimi për procesin e reformës zgjedhore

Me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së, Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore i Kuvendit të Shqipërisë, zhvilloi një tryeze diskutimi, me fokus gjetjet, problematikat dhe rekomandimet mbi fushatën zgjedhore, të dala nga raportet e OSBE/ODIHR-it.

Të pranishëm në këtë tryezë ishin bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Bledar Çuçi dhe Oerd Bylykbashi, kryetari i Misionit të OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchard dhe ekspertë të çështjeve zgjedhore.

Në fjalën e tij kreu i Misionit të OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchard, tha se rekomandojnë një reformë të plotë si dhe i kërkoi komisionit ta finalizojë reformën zgjedhore brenda afatit.

“Ne rekomandojmë fort një reformë të plotë dhe në kohë, një reformë që trajton të gjitha rekomandimet e papërmbushura të OSBE/ODIHR-it nga zgjedhjet e viteve 2013, 2015 dhe, sigurisht, ato të vitit të kaluar”, tha Borchardt.

Ai u ndal te çështja e blerjes së votës, duke thënë se Prezenca e OSBE-së po i ndjek me shumë vëmendje rastet e denoncuara në prokurori.

“Tani është koha për rezultate konkrete. Bashkë me OSBE/ODIHR-in, ne po i ofrojmë mbështetjen tonë të plotë Parlamentit të Shqipërisë në realizimin e reformës. ODIHR-i rekomandon që nevojiten përpjekje serioze për të trajtuar çështjen e vazhdueshme të blerjes së votës, si nëpërmjet një fushate për ndërgjegjësimin qytetar ashtu edhe nëpërmjet ndjekjes penale, me qëllim forcimin e besimit te procesi zgjedhor”, deklaroi Borchard.

Ndërsa në fjalën e tij, bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Bledi Çuçi tha se shumë nga mbledhjet që nga dita e sotme do të jenë në formë workshopi, ku do të ndërveprojnë me ekspertizën më të mirë nga vendet e Evropës.

Sipas Çucit është rënë dakord që puna e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore do të përqendrohet në 6 shtylla kryesore për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODHIR-it në tre zgjedhjet e fundit.

“Ne ramë dakord dhe kemi marrë vendimin që punën tonë ta përqendrojmë në 6 shtylla kryesore për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODHIR-it për të tre zgjedhjet e fundit, për të adresuar problematika që vijnë nga këto zgjedhje, të evidentuara nga partitë politike dhe nga aktorë të tjerë të përfshirë në procesin zgjedhor. Gjashtë shtyllat janë: përdorimi i teknologjive të reja në procesin e votimit; adresimi për të bërë të mundur votimin e emigrantëve; çështjet që kanë të bëjnë me shitblerjen e votës; çështjet që kanë të bëjnë me rekomandimet kryesore të OSBE/ODHIR-it; çështje që kanë të bëjnë me regjistrin e votuesve dhe regjistrin civil dhe administrata”, tha Çuçi.

Aktiviteti i sotëm është i pari i një sërë tryezash teknike pune që ky komision planifikon të organizojë për fusha specifike të zgjedhjeve.

Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore ka për detyrë hartimin e ndryshimeve të kuadrit ligjor zgjedhor për trajtimin e rekomandimeve të raporteve të OSBE/ODIHR-it për tre zgjedhjet e fundit të viteve 2013, 2015 dhe 2017 në Shqipëri, të institucioneve përgjegjëse për zgjedhjet dhe të propozimeve të partive politike.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi